Hutbeja e Kurban Bajramit.

Florim ef. Mellova

Lavd-falenderimet, frikë-rrespektet i takojnë Allahut të Madhëruar, Atij i lutemi dhe vetëm prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Përshëndetjët dhe selamet pejgamberit Muhamed a.s i dërgojmë. Mëshira e Allahut qoftë mbi familjen e tij të ndershme, shokët e tij besnik, korrekt e të sinqert dhe mbi të gjithë pasuesit që ndjekin rrugën e tij me devotshmëri e paluhatshmëri.
Vëllezër të nderuar!
Për çdo vit muslimanët janë dëshmitarë të manifestimeve madhështore dhe gëzimit kolektiv, dëshmitar të gjallërisë e vizitave të ndërsjella që bëhen në këto ditë gëzimi e feste dhe disponimi mbarëpopullor që mbretëron me rastin e festës së Bajramit.
Muhamedi a.s, ka thënë:“Çdo popull i ka festat e veta, e festat e muslimanëve janë dy: Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami”.
E ne, pasi që jemi pranë një feste madhështore të Kurban Bajramit, vlen që t’i themi disa fjalë rreth kësaj feste.
Nga vetë fjala Kurban, kuptojmë se kemi të bëjmë me kurban, që do të thotë sakrificë për hir të Allahut.
Allahu i Madhërishëm në Kuran thotë: “Ne vërtet të dhamë ty shumë të mira (kevtherin). Andaj ti falu dhe therr kurban për hir të Zotit tënd!” (Kevther: 1-2)
“Thuaj: namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun, Zotin e botëve!” (En’am 162)
Vëllezër të nderuar!
Duhet ta dimë se tek Allahu xh.sh nëpërmjet therrjes së kurbanit nuk arrin mishi dhe as gjaku, por ajo që arrin te Allahu i Madhërishëm është pikërisht bindja dhe devotshmëria Islame, lidhja e robit me Zotin, plotësimi i një pjesë të nevojës te nevojtarët dhe forcimi i dashurisë dhe i bashkimit midis kontribuesit dhe atij që ka nevojë për ndihmë materiale.
Kurban Bajrami, festohet në vazhdën e kryerjes së kushtit të pestë të Islamit-haxhit, demonstrimit të solidaritetit islam përmes kurbanit dhe përkujtimit për domosdoshmërinë e kryerjes së llogarive të veprave të njeriut gjatë periudhës njëvjeçare.
Jo vetëm kaq, por ditët e Bajramit janë ditët më të shenjta për ne myslimanët dhe ndërkohë nga festat më të lumtura. Në këtë ditë besimtarët falenderojnë Zotin Fuqiplotë. Shprehin ndaj Tij mirënjohjet më të thella dhe më të sinqerta.
Vëllezër të nderuar!
Bajramet për ne myslimanët janë festat Hyjnore të cilat fillojnë me tekbir (madhështi). Këtë e thekson një hadith fisnik i Muhamedit a.s ku thotë: “Zbukuroni bajramet (festat) tuaja me tekbir”, gjithashtu Allahu xh.sh thotë: “Të madhëroni Allahun për atë, se u udhëzoi dhe që të falenderoni”. (Bekare 185)
Po ashtu myslimani dhe myslimaneja gëzohet për mirësinë që i ka dhënë Zoti Fuqiplotë dhe për nënshtrimin që ai apo ajo ka bërë. Për këtë në një ajet Zoti thotë:
“Thuaj: Vetëm mirësisë së Zotit dhe mëshirës së Tij t’i gëzohen, se është shumë më e dobishme se ajo që grumbullojnë”.
Për këtë është e nevojshme që të dëgjohen qartë dhe fuqishëm këto mesazhe të Bajramit:
-Vëre veten si peshojë të marrëdhënies me tjetrin!
-Dëshiroj vëllait atë që dëshiron për vete!
-Mos mendo për vëllanë atë që nuk mendon për vete!
-Mos e fshehë të mirën e vëllait tënd, sepse as ai nuk do ta fshehë tënden!
-Bëhu mbrojtës i vëllait tënd dhe ai do të bëhet mbrojtësi yt!
-Përveç obligimeve, vepra më e dashur te Allahu është ta gëzojë vëllanë e vet!
-Nëse mendon të flasësh për të metat e tjetrit, përkujto të metat tuaja!
-Cilësitë më të mira janë të përsëritësh lidhjet e ndërprera farefisnore, ti dhurosh atij që të ka lënduar, ta falësh atë që të ka bërë padrejtësi! Besnikëria pasuron, tradhtia varfëron!
Zot i Mëshirshëm,
Na bën që vetëm Ty të shërbejmë!
Të largohemi nga mëkatet!
Të flasim të vërtetën!
Të mendojmë mirë!
Të bëjmë vepra të mira!
Të ruhemi nga haku i juaj!
Zot i Mëshirshëm!
Na jep dituri të dobishme!
Mos na lejo të na mashtrojë suksesi!
Por, as suksesi të na dëshpërojë!
Zot i Plotfuqishëm!
Nëse na merr pasurinë, na lërë shpresën!
Nëse na jep sukses, na jep fuqi dhe dëshirë ta mposhtim humbjen!
Nëse na merr begatinë e shëndetit, jepna begatinë e besimit!
Zot i Gjithëdijshëm!
Na mëso që toleranca është shkalla më e lartë e fuqisë, ndërsa dëshira
e hakmarrjes, shenja e parë e dobësisë!
Zot i Drejtë!
Kur gabojmë ndaj njerëzve, jepna fuqinë e kërkimfaljes!
Ndërsa kur njerëzit gabojnë ndaj nesh, jepna fuqinë e faljes!
Zot i Mëshirshëm!
Nëse ne të harrojmë Ty,
Mos na harro Ti, neve!
Vëllezër dhe motra!
Kjo ditë e shënuar e Kurban Bajramit, le të na kthejë vetëbesimin, shpresën dhe besimin e ndërsjellë, në mesin tonë të zhduket frika, xhelozia dhe zilia, shoqëria le të kthejë vetëbesimin, secili të punojë punën e tij me ndërgjegje dhe përgjegjësi, dhe le të kuptojmë që fshehtësia e suksesit në këtë botë, është besimi i sinqertë dhe veprat fisnike!
E lus Allahun xh.sh që të na mëshirojë në këto ditë feste, na pronoftë çdo adhurim që kryejmë për hirë të Tij, na forcoftë besimin, na përforcoftë gjithmonë në rrugën e drejtë, dhe Zoti i Madhërishëm ua pranoftë të gjithë haxhilerëve të cilët gjinden në këto momente në vendet e shenjta Islame ibadetet dhe lutjet e tyre.
Në këtë festë të madhe, kam nderin që edhe një herë t'u uroj e përgëzoj për 100 vjetorin e shtetësisë dhe pavarësisë së Shqipërisë, duke e lutur Allahun për unitet, mirëkuptim, tolerancë, mirëqenie, harmoni, begati, lumturi e mbarësi për të gjithë njerëzit.
Alluhu ju nderoftë, dhe ju falenderojë dhe u jam shumë mirënjohës për pjesëmarrjen dhe dëgjimin tuaj.
Kam nderin që në emrin tim përsonal si imam i kësaj xhamie dhe në emër të kryetarit të Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjakovë z.Ahmed ef. Hoxha, dhe në emër të kryetarit të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës z.Mr. Naim ef. Tërnava t'ju shpreh urimet dhe përgëzimet më të ngrohta e më të sinqerta për këtë festë, dhe u them të gjithëve:
Me fat ju qoftë Kurban Bajrami!


Hutbeja u mbajt me 26.10.2012 për ndrer të festës së Kurban Bajramit
në xhaminë e Hadumit-Gjakovë