Ulliri (lat. Olea europaea)

All-llahu është dritë (ndriçues, udhëzues) i qiejve e i tokës. Shembulli i dritës së Tij i ngjason kandilit të vendosur në një zgavër të errët. Kandili gjendet brenda një qelqi si të ishte yll flakërues e që ndizet prej (vajit të) një druri të bekuar, prej ullirit që nuk mund të quhet as i lindjes e as i perëndimit, e vaji i tij ndriçon pothuajse edhe pa e prekur zjarri. Dritë mbi dritë. All-llahu udhëzon kah drita e Vet atë që do Ai. All-llahu sjell shembuj për njerëzit. All-llahu çdo gjë di shumë mirë. (Kur'an, -En-Nur, 35)

All-llahu i Madhëruar "betohet" në këtë dru dhe kjo është e mjaftueshme që përfundimisht të konkludojmë sa ka vlerë . Është përmendur në shumë vende në Bibël dhe në Kur’ an. Ulliri është i pranishëm në tokë që nga kohërat e lashta. Druri i ullirit kultivohet përafërsisht qe 6.000 vjet, në vendet e Mesdheut. Simbolika e kësaj peme të bekuar është e njohur për njerëzit që nga kohërat biblike. Sipas një tregimi biblik, drurët në tokë, e kanë dashur ullirin për shkak të inteligjencës së tij, për ta zgjedhur mbretin e tyre, gjë për të cilën, ai për shkak të shqetësimit për njerëzit, nuk ka pranuar.
Ulliri ka luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e civilizimit në botë. Gjithashtu ishte i rëndësishëm në ushqim, mjekësi, fe dhe art. Ullinjve u janë dhënë edhe kuptime simbolike dhe kështu është bërë simbol i paqes, jetës, shëndetit, bollëkut, përjetësisë, diturisë dhe mësimit. Ulliri është bimë që rritet shumë ngadalë. Atij i nevojiten rreth 5 deri në 10 vjet për t’i dhënë frytet e para. Te ulliri si një dhuratë e Perëndisë, çdo gjë është shëruese. Përkrah vajit, i cili ka veti shëruese, përdoren edhe gjethet e tij, kundër kalljes së mushkërive, sëmundjeve të organeve gjenitale, tuberkulozit, hepatitit, herpesit dhe inflamacionit të traktit urinar – kanaleve urinare. Për ata që kërkojnë mendimin e shkencës për vlerën e tij, do t’i paraqesim si më poshtë:
Vaji i ullirit është lehtë i përpunueshëm, dhe tretet lehtë. Popullsia në zonat ku ulliri përdoret shpesh, më pak i është ekspozuar sëmundjeve kardiovaskulare dhe kancerit të prostatës, zorrës së trashë dhe të gjirit. Parandalon shfaqjen e gastritisit, të thatit në lukth dhe gurëve të tëmthit. Mbron mëlçinë nga degjenerimi yndyror. Është efikas në shërimin e sekretimit të tëmthit. Ka ndikim të favorshëm në rritjen e fëmijëve. Ngadalëson procesin e plakjes.
Vaji i ullirit është një nga vajrat më të vjetër të kuzhinës. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH-WHO), ushqimin mesdhetar e ka marrë si një model të jetëgjatësisë së shëndetshme, ndërsa vaji i ullirit është baza e ushqimit të tyre. Profili i vajit të ullirit është i ngjashëm me qumështin e nënës, dhe për këtë arsye rekomandohet veçanërisht për fëmijët. Vaji i ullirit është rekomanduar për të gjithë ata që duan të kujdesen për shëndetin e tyre. Është argumentuar se gratë që e përdorin shpesh vajin e ullirit, 45% kanë më pak gjasa që të sëmuren nga kanceri i gjirit. Edhe pse është thënë dhe do të thuhet, prapë se prapë mbetet ende shumë për të studiuar në lidhje me vajin e ullirit, por është mjaft e njohur për vetitë shëruese të tij që duhet të jetë pjesë e menysë tonë të ushqimit të përditshëm.
"Hani – Ushqehuni me vajin e ullirit dhe lyeni flokët tuaj me të, sepse ai është prej pemëve të bekuara." Hadith i Muhamedit s.a.v.s.



Përktheu dhe përshtati: Esat Rexha