Përurohet Xhamia e Sahatit në Dibër të Madhe

Paraditen e 27 janarit në Dibër të Madhe u zhvillua ceremonia e përurimit të Xhamisë së Sahatit.

Evenimente të tilla të bukura e të paharruara mund të ndodhin vetëm në Dibër të Madhe, në Dibrën e Perëndisë, bujarisë, besës, mikpritjes, urtësisë, të pushkës e mençurisë. Kjo xhami përbri rrugës që çon nga Dibra në drejtim të Strugës, është karakteristike për nga ndërtimi, kulla e Sahatit dhe 100 dritaret në shenjë të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Me këtë rast u vendosën lule të freskëta te varri i rilindësit Said Najdeni, që ndodhet në oborrin e kësaj xhamie, u shpalos Pllaka Përkujtimore dhe shpalosja e grafikës për nder të 100 vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar.

“Sot është ditë e shënuar, ditë gëzimi, manifestim për muajin e lindjes së Muhamedit a.s.. Është një ngjarje që ne dibranët e kemi pritur me ditë, me muaj, kemi bërë disa biseda dhe më në fund u realizua ajo që mendonim që këtë xhami do ta përurojë kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe reis ulemaja i BFI. Këtë manifestim e ndajmë në dy pjesë, në atë fetare si shtëpi fetare, dhe atë historike ku dibranët e kanë historinë e vet”, tha myftiu i Dibrës, Ruzhdi Lata.

Në këtë eveniment morën pjesë shumë dibranë besimtarë, në mesin e të cilëve edhe Lulzim Basha, kryebashkiaku i Tiranës, Njazi Kosovrasti, kryetar i Këshillit të Tiranës, Reisi Sulejman efendi Rexhepi, kryetar i BFI, Argëtim Fida, kryetar i Komunës së Dibrës, Petrit Imami, kryetar i KK të Dibrës, Ruzhdi Lata, myfti i Dibrës, Ali Ahmeti, lider i BDI-së, Xhemal Gjunkshi, shef i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së Shqipërisë, përfaqësues të myftinive dhe institucioneve të dy vendeve, njofton Zhurnal.