Rrethprerja te fëmijët meshkuj duhet të jetë njëlloj si vaksina

Sipas një studim akademik të profesorit Brian Morison rrethprerja (synetia) duhet të futet në listën e shërbimeve të para që i ofrohen fëmijës mashkull, ashtu si dhe vaksina.

Gazeta britanike Daily Mail, ka publikuar raportin e studimit akademik të profesorit Morison rreth dobive shëndetësore të rrethprerjes, ku mes tjerash thuhet se rrethprerja tek meshkujt në përqindje të lartë ul rreziqet nga sëmundjet.

Ky studimi i këshillon, por në të njëjtën kohë edhe i nxit prindërit që për shkak të dobive shëndetësore fëmijët e tyre të gjinisë mashkullore t’i bëjnë synet.

Përqindja e foshnjave meshkuj të cilët i nënshtroheshin rrethprerjes në SHBA, gjatë viteve të gjashtëdhjetë ishte 82 për qind, por kohët e fundit kjo përqindje është ulur në 77 për qind.

Profesori Morrison, i cili punon në universitetin australian Sidney, thotë se ekzistojnë dy shkaqe për uljen e përqindjes së foshnjave që i nënshtroheshin rrethprerjes. I pari ka të bëjë me ndryshimet demografike dhe shtimin e racave që nuk e aplikojnë rrethprerrjen në Amerikë. Ndërsa i dyti ka të bëjë me mungesën e ndihmës mjekësore tek shtresat e varfra në 15 shtete të Amerikës, ku përqindja e foshnjave që bëhen synet është 24 për qind.

Sipas tij, rrethprerja tek fëmijët meshkuj duhet të trajtohet njëlloj si vaksina. Ajo duhet të futet si praktikë rutinore në listën e shërbimeve të para që u ofrohen fëmijëve, sepse vonesat mund ta ekspozojnë shëndetin e fëmijës ndaj rreziqeve.

Ai thotë se dobia më e madhe e rrethprerjes është mbrojtja e kanaleve urinare nga infeksionet, të cilat ndikojnë në dëmtimin e rëndë të veshkave.