“Mos të nëpërkëmbet institucioni i imamit” - Intervistë e Kryetarit të Kuvendit të BIK-ut, Ajni Sinani

Kryetari i Kuvendit të BIK-ut, Ajni Sinani, duke iu referuar arrestimeve të fundit të disa imamëve, ka kërkuar nga shteti i Kosovës të mos nëpërkëmbet institucioni i imamit dhe hoxhës.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Sinani ka thënë se arrestimi i disa imamëve të kësaj bashkësie në kohën kur vendi është në një ngërç politik, ka lënë të hapura shumë pyetje. “Koha në të cilën janë arrestuar të gjithë këta imamë, kur ne nuk kemi institucione dhe kemi këtë ngërç politik, na bënë të ngremë shumë pikëpyetje. Duhet të kihet kujdes të mos njolloset dhe të mos nëpërkëmbet institucioni i imamit dhe personaliteti i hoxhës”, ka deklaruar Sinani.
Ai ka thënë se BIK-u shpreson që sa më parë këta imamë të sqarohen me drejtësinë dhe t’u kthehen familjeve të tyre. “Tashmë disa prej tyre janë liruar. Urojmë dhe shpresojmë që për festën e Kurban Bajramit ta kemi sihariq lirimin e gjithë imamëve”, është shprehur Sinani.
Ndërkaq, me rastin e festës së Kurban Bajramit, Sinani i ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë, duke shtuar se për këtë festë duhet të kujtohen dëshmorët, familjet e tyre, skamnorët dhe gjithë ata që janë në nevojë. “Këto ditë le të bëhen ditë faljeje dhe harrese të mërive dhe zënkave tona. Humanizmi ynë le të shprehet nëpërmjet vizitave tona, shpërndarjes së mishit të kurbanit dhe urimeve që iu bëjmë familjeve tona, miqve dhe të afërmve”, ka uruar Sinani.

“Epoka e re”: Tani jemi në prag të festës së Kurban Bajramit dhe shumë besimtarë të fesë islame janë duke e kryer një obligim, siç është haxhi. Z. Sinani, keni komunikuar si janë haxhilerët nga Kosova dhe kur pritet të kthehen ata?

Sinani: Ta kryesh haxhin nuk do të thotë vetëm të kryesh një nga pesë obligimet e Islamit, por të vizituarit e atyre vendeve më të shenjta mbi rruzullin tokësor do të thotë të kthehesh në kohë. Ta kujtosh babanë dhe nënën e njerëzimit, Ademin dhe Havën. Sepse në ato hapësira u takua Ademi me Havën pas largimit të tyre nga xheneti. T’i vizitosh ato vende do të thotë ta kujtosh Ibrahimin, bashkëshorten e tij, Haxherën dhe të birin e tyre, Ismailin. Të vizitosh atë vend do të thotë ta vizitosh vendlindjen e të dërguarit më të zgjedhur të Zotit, Muhammedit a.s. Ta vizitosh Mekën do të thotë ta shohësh Qabenë, xhaminë e të gjitha xhamive, kiblën e të gjithë kiblave, do të thotë të jesh në qendër të universit islam, në qendër të rruzullit tokësor. Ta vizitosh Medinën do të thotë ta kujtosh qytetin ku Muhammedi a.s. themeloi qytet-shtetin e parë islam. Aty ku i Dërguari i Zotit u prit me zemërgjerësi të paparë nga banorët e saj. Të vizitosh ato vende do të thotë ta bësh udhëtimin më të bukur dhe më të mirë të mundshëm në jetë. Prandaj, haxhilerët mezi presin t’i vizitojnë këto vende të shenjta dhe kështu ta kryejnë njërin nga obligimet e Islamit, duke shpresuar mirësinë dhe kënaqësinë e Zotit të Gjithëfuqishëm. Edhe myslimanët tanë, sikurse edhe shumë miliona myslimanë që ua mësyjnë atyre vendeve nga të gjitha anët e botës, çdo vit kanë kënaqësinë të jenë pjesë e grumbullimit më madhështor në vendet më të shenjta të botës. Haxhilerët tanë janë mirë dhe janë duke i kryer me përpikëri dispozitat e haxhit. Pas qëndrimit disaditor edhe në qytetin e Medinës, haxhilerët tanë do të kthehen në vendin tonë.

“Epoka e re”: Për Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK) kjo festë ndryshon prej herëve të tjera, ngase ky Kurban Bajram e gjen këtë institucion me dhjetëra imamë të arrestuar?

Sinani: Po sigurisht se ne nuk ndihemi mirë për burgosjen e imamëve tanë. Ne besojmë në pafajësinë e tyre derisa drejtësia nuk e thotë të kundërtën. Deri tash veç janë liruar tre imamë, një të enjten. Shpresojmë se edhe të tjerët të lihen të lirë. Dashtë Zoti që kjo të ndodhë në vigjilje të festës së Bajramit!

“Epoka e re”: Z. Sinani, para disa ditësh janë arrestuar disa imamë, nën dyshimin për nxitje të urrejtjes, ekstremizëm fetar apo terrorizëm. A ka në Kosovë ekstremizëm fetar?

Sinani: Bashkësia Islame e Kosovës ka shprehur shqetësimin tonë për arrestimet në fjalë. Shpresojmë që sa më parë këta imamë të sqarohen me drejtësinë dhe t’u kthehen familjeve të tyre. Tashmë disa prej tyre janë liruar. Urojmë dhe shpresojmë që për festën e Kurban Bajramit ta kemi sihariq lirimin e gjithë imamëve. Ky do të ishte një gëzim për familjarët dhe një lajm i mirë për këtë festë islame.

“Epoka e re”: Nga avokatët e imamëve të arrestuar këto veprime janë cilësuar politike. Po BIK-u, ka të njëjtin qëndrim?

Sinani: Koha në të cilën janë arrestuar të gjithë këta imamë, kur ne nuk kemi institucione dhe kemi këtë ngërç politik, na bënë të ngremë shumë pyetje. Duhet të kihet kujdes të mos njolloset dhe të mos nëpërkëmbet institucioni i imamit dhe personaliteti i hoxhës. Nuk kërkojmë që imamët, as politikanët dhe kushdo qoftë, të jenë mbi ligjin, por jemi kundër dhe kundërshtojmë gjithsesi të bëhet spektakël.

“Epoka e re”: Në çfarë niveli është diskutimi me Qeverinë e Kosovës lidhur me kërkesat e BIK-ut për mësim-besimin apo mbulesën fetare nëpër shkolla?

Sinani: Nuk ka ndonjë sukses në këtë aspekt. Akoma nuk është zgjidhur aspekti juridik i bashkësive fetare, respektivisht i BIK-ut. Sa i përket mbulesës dhe lëndës fetare në shkollat tona publike, kërkojmë aq sa kanë edhe shumica dërrmuese e shteteve në BE. Nuk bën të ngatërrohet koncepti i sekularizmit me mbulesën apo arsimin fetar. Edhe shtetet e Bashkimit Evropian janë shtete sekulariste, por në shkollat e tyre publike ato e lejojnë shaminë dhe arsimin fetar. Nuk duhet të dallohemi nga të tjerët. Të mos bëjmë gabimin që kishte bërë me herët klasa politike komuniste e Shqipërisë së Enver Hoxhës, kur e ndaloi me ligj fenë.

“Epoka e re”: Në fund, cili është mesazhi i BIK-ut për festën e Kurban Bajramit?

Sinani: Kurban Bajrami është ditë sakrifice, ditë kujtimi, ditë altruizmi, ditë faljeje, humanizmi, ditë gëzimi dhe falënderimi. Të sakrifikojmë për të mirën e atdheut tonë me dijen, përkushtimin dhe sinqeritetin tonë. T’i kujtojmë dëshmorët dhe shehidët tanë, familjet e tyre, skamnorët dhe gjithë ata që janë në nevojë. T’ua ofrojmë ndihmën dhe përkrahjen tonë të gjithë nevojtarëve dhe të varfërve. Këto ditë le të bëhen ditë faljeje dhe harrese të mërive dhe zënkave tona. Humanizmi ynë le të shprehet nëpërmjet vizitave tona, shpërndarjes së mishit të kurbanit dhe urimeve që u bëjmë familjeve tona, miqve dhe të afërmve. Le t’i gëzojmë edhe ata që nuk kanë në sofrat e tyre me çfarë ta përjetojnë madhështinë e këtyre ditëve të bekuara. Le ta falënderojmë Allahun e gjithëfuqishëm për të gjitha mirësitë dhe begatitë e pafundme që na ka dhuruar! T’i lutemi Atij për mirëqenien tonë, të familjeve tona, të Kosovës sonë dhe të gjithë besimtarëve tanë kudo që janë në botë.



Muhamet KOCI