Imer Hamza nga fshati Pallçisht i Poshtëm të Tetovës nuk është vetëm thjesht një emër që identifikon një person, por është një rast që rrëzon poshtë të gjitha teoritë se në moshë të shtyrë, truri e ka vështirë të pranojë informacione të reja, e të pajiset me dituri.
Në këtë formë, ai është shndërruar në befasinë më të këndshme për medresenë Isa Beu në Shkup për maturantët e vitit shkollorë 2013-2014.
Ndoshta e logjikshme është të pyetet se përse jo më herët me qenë se dëshira gjithnjë ka ekzistuar. Por, me qenë se Haxhi Imer Hamza që në moshën 8 vjeçare është rritur jetim pa babanë e tij, gjendja e vështire ekonomike e detyroi atë që sa më shpejtë të fillojë punën për të siguruar ekzistencën familjare. Megjithatë dëshira e tij nuk u tret nëpër vite por përkundrazi, u forcua çdo ditë e më tepër deri sa në vitin 2010, ai regjistrohet në medresenë “Isa Beu” në Shkup.
“Unë nisem nga hadithi i Muhamedit a.s., i cili thotë: “Kërkoni dituri nga djepi e deri në varr”. Pastaj Allahu i Madhërishëm e hap Kur’anin me fjalët: ”Lexo dhe mëso në emër të Allahut i cili krijoi çdo gjë”, dhe këtu aspak nuk ceket mosha, por thotë “lexo”, sqaron Hamza. Ai vlerëson se për të arritur në dituri, duhet vullnet dhe mund. Këtë ua sugjeron fëmijëve që janë në këtë proces duke i këshilluar që të përdorimin e teknologjisë ta kalojnë në vend të dytë, ndërsa mësimin në vend të parë. Gjatë këtij udhëtimi, ai ka gjetur mbështetje dhe përkrahje të pa rezervë edhe nga ana e familjes, edhe pse ata kanë dyshuar se në këtë moshë ai do të arrinte të prekte ëndrrën e tij. I vetëdijshëm për djersën që duhet derdhur për t’u ngjitur drejt suksesit, ai gjatë katër viteve të shkollimit të mesëm në medrese, thotë se kalonte mëse 8 orë me libra. Pjesa më e bukur e ditës së tij ishte kur ai mblidhte familjarët rreth tij dhe u shpjegonte diçka nga njohuritë e fituara të asaj dite.
“ Është fakt që Allahu u përgjigjet të gjitha lutjeve të sinqerta të robërve të vetë, duke vazhduar t’i pyes çdo natë se: “A ka dikush nevojë për diçka”. Unë kisha nevojë për dije, dhe nga kjo dëshirë Allahu nuk më privoi”, shprehet Haxhi Hamza. Në këtë formë, ai është bërë model për ta ndjekur jo vetëm moshatarët e vetë, por edhe të rinjtë e ditëve të sodit që gjejnë çfarëdo lloj arsye për të mos mësuar. Por, dëshira e Hamzës nuk përfundon këtu, ai me lejen e Zotit, është i mendimit që të vazhdojë studimet në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup.
“Unë nuk kam nevojë për një vend pune sepse këtë nuk ma premton as mosha. Unë gëzoj një stabilitet të plotë ekonomik sepse kam pension të Zvicrës. Këtë e bëj thjesht nga dëshira për dije dhe për të plotësuar hadithin e Muhamedit a.s., kur porosit umetin e tij që të kërkojnë dituri deri në fund të jetës”, përfundon haxhi Imer Hamza.
Krahas librave obligativ të shkollës, ai gjithnjë ka në dorë edhe libra tjerë fetarë sepse aty e gjen ushqimin e tij shpirtëror.
[youtube]#t=417[/youtube]