Fushatë kundër paragjykimit: Muslimanët në disa qytete evropiane kanë shpërndarë trëndafila

Javën e kaluar, muslimanët në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin, dhe disa qytete tjera evropiane kalimtarëve u kanë shpërndarë trëndafila në shenjë bashkëjetese dhe forcimit të dialogut ndërfetar.

Qëllimi i fushatës, me titull "Urdhëroni, unë jam musliman", i organizuar nga lëvizja "Milli Gorus" (IGMG), është për të eliminuar paragjykimet kundër muslimanëve në vendet evropiane.

Në disa sheshe të Berlinit rinia muslimane u ka shpërndarë trëndafila kalimtarëve, të interesuarve u kanë dhuruar broshura dhe kanë biseduar rreth gjërave që u kanë interesuar në lidhje me islamin.

Përfaqësuesi i IGMG në Berlin, Tahir Sozen, tha se qëllimi kryesor i fushatës është që t’i eliminojnë paragjykimet që ekzistojnë kundër muslimanëve në Evropë.

"Njeriu është armik i atij që nuk e njeh. Ne duhet ta njohim njëri-tjetrin. Kjo është arsyeja pse ne organizojmë aktivitete të tilla. Frika nga muslimanët po përhapet në vendet ku njerëzit nuk kanë njohuri të mjaftueshme për muslimanët", tha Sozen.

E njëjta fushatë është zhvilluar edhe në disa qytete të Holandës, Francës, Austrisë dhe Danimarkës.