Interviste me imamin nga Amerika, Yahya Hendi

"Jam shumë i impresionuar dhe shumë i lumtur. Jam shumë i prekur emocionalisht nga njerëzit që takova. Mendoj se njerëzit këtu janë shumë të mirë, angazhohen të jenë shumë të mirë. Perfektja nuk ekziston askund. Ne të gjithë provojmë të shkojmë nga perfektja. Por, unë jam shumë i impresionuar nga njerëzit që takova, e të cilët kanë ndarë kohë për ne, janë angazhuar të promovojnë paqe dhe angazhohen për edukimin e shoqërisë, për një të ardhme më të mirë. Pra,jam shumë i lumtur që jam në Kosovë”, tha imami Hendi.

Fillimisht, imam i nderuar, ju faleminderit për kohën që ndatë për intervistë me ne, si dhe për prezencën tuaj në vendin tonë!

- Dituria Islame: Imam Hendi, sa për fillim, a mund të na tregoni se cili është misioni i organizatës që ju drejtoni, "Klerikët përtej kufijve”?

Yahya Hendi: Organizata "Klerikët përtej kufijve”, të cilën unë e drejtoj, para së gjithash ka për qëllim dhe vizion që t'i arsimojë dhe edukojë klerikët, mësuesit fetarë dhe studentët, mbi parandalimin e konfliktit, paqen, dhe mbi atë se si komitetet fetare mund të ndihmojnë duke pasur sjellje të dhe duke i promovuar vlerat e tyre dhe të bashkëpunëtorëve të tyre.

- Dituria Islame: Cili është kontributi dhe angazhimi juaj në Këshillin Islamik për Drejtësi të Amerikës Veriore, dhe çfarë misioni ka ky Këshill?

Yahya Hendi: Këshilli i Jurisprudencës Islamike për Amerikën Veriore synon që t'u përgjigjet në pyetje 8 milion muslimanëve që jetojnë në SHBA. Ne u përgjigjemi në pyetjet që kanë të bëjnë me të drejtat qytetare, të drejtat martesore, çështjet e ndryshme juridike, pra ne i ndihmojmë komunitetit musliman, mirëpo nga ana tjetër ne përgjigjemi edhe në pyetjet e komuniteteve tjera jomuslimane që kanë të bëjnë me qëndrimin e Islamit ndaj çështjeve të ndryshme, siç janë: çështjet e klonimit, ekonomike, mediatike, të terrorizmit etj. Këshilli i Jurisprudencës Islamike për Amerikën Veriore është për t'u përgjigjur në pyetjet e ndryshme lidhur me atë se cili është qëndrimi i Islamit në lidhje me çështjet e ndryshme, sepse shumë grupe anembanë botës pretendojnë se flasin në emër të Islamit, por që në të vërtetë nuk flasin. Ne jemi 17 anëtarë të Këshillit, që përgjigjemi në pyetje të ndryshme lidhur me atë se cili është qëndrimi i vërtetë i Islamit ndaj një çështjeje konkrete.

- Dituria Islame: Jeni pedagog universitar, ku edhe e mbani lëndën "Fërkimet ndërfetare”. Na tregoni se si i shihni ju, si teolog e studiues, fërkimet me sfond fetar, fillimisht në SHBA e pastaj edhe në botë, si dhe
çka ndikon në derivimin e kësaj?

Yahya Hendi: Ka shumë shkaqe, por mendoj se shkaku numër një është injoranca. Imami Aliu thotë: ”Ju frikësojuni asaj të cilën nuk e njihni!” Pra, kur nuk e njihni tjetrin, atëherë ju atë e shikoni sikur të tjerët, si armik. Mirëpo, nëse ju e njihni palën tjetër, atëherë ju nuk e trajtoni si të tillë, sepse ju e njihni. Pra, ky është shkaku numër një, Pastaj, unë njoh shumë njerëz amerikanë që nuk i përkasin fesë islame, e të cilët paraprakisht e urrenin islamin dhe kishin paragjykime, Mirëpo, pasi ne u ulëm e ua shpjeguam se si janë gjërat, dhe kur i vizituam ata nëpër kishat e tyre, me mijëra njerëz na kanë dërguar mesazhe, ku kanë shkruar: "Zotëri Imam, me të vërtetë na i keni çelë sytë. Na keni shpjeguar të vërtetën.” Pastaj, si shkak i dytë janë edhe agjendat e ndyra, që për shkak të tyre shumë njerëz dalin me qëndrime kundër religjioneve. Dhe në skenë dalin individë që, qoftë në emër të krishterimit, budizmit, islamizmit, flasin ne mënyrë jo të duhur. Ata vetë bëhen pjesë e ndonjë agjende, Të shumtën e herave ata nuk janë klerikë islamë, por janë politikanë të cilët dalin dhe flasin në këtë mënyrë, për shkak të agjendave të ndryshme. Unë jam një i shkolluar i religjioneve
krahasuese, dhe kam studiuar islamin, krishterimin, judaizmin, budizmin dhe, përkundër dallimeve që kanë këto religjione, unë e di që kanë edhe
shumë gjëra të përbashkëta.

- Dituria Islame: Imam, në çfarë shkalle është bashkëpunimin i prijësve fetarë dhe komunitete fetare në Amerikë?

Yahya Hendi: Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vende shumë komplekse, nuk mund të ilustrohet vetëm me një rast, sepse ka më shumë se 300, 000. 000 banorë. Pra, ju mund të shihni shumë lloje situatash në një vend të tillë, ku ka edhe prijës fetarë të cilët fare nuk dëshirojnë të kenë dialog me religjione tjera; janë të mbyllur në kuadër të religjionit të vet dhe fare nuk duan të komunikojnë me të tjerët. Mirëpo, ka edhe të tillë që janë të hapur dhe u afrohen prijësve të tjerë të religjioneve tjera. Secili qytet dhe shtet është i ndryshëm. Ndonjëherë ju mund të keni një komunitete fetar i cili është aktiv, dhe pastaj prijësi i tyre fetar shkon e largohet, dhe pastaj gjërat ndryshojnë.

- Dituria Islame: A ka ndryshuar për së keqi gjendja dhe pozita e muslimanëve në ShBA pas paraqitje së ISIS-it? Në fillim të këtij viti patëm ekzekutimin e tre të rinjve muslimanë?

Yahya Hendi: Njerëzit ndonjëherë kanë një përshtypje të gabueshme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se është si një qytet, Në fakt është një kontinent, dhe në disa vende të SHBA-së ka vërtet dallime të mëdha, e në të tjerë më pak. Sa i përket këtyre tre studentëve të cilët janë vrarë, ata nuk janë ekzekutuar, sepse duhet bërë dallimin në mes vrasjes dhe ekzekutimit. Kuptohet se unë kam qenë i pikëlluar dhe kam qarë me ditë të tëra, ngase ishte një ngjarje e tmerrshme. Është përtej çdo imagjinate që dikush do të mund të shkonte në shtëpi të dikujt dhe t'i vrasë në atë mënyrë. Prandaj, ajo që ndodhi është e tmerrshme, ishte kriminale, është me të vërtetë për t'u indinjuar, por kjo nuk mund të interpretohet se Amerika është kundër Islamit. Në universitetin "Xhorxh Town" ne patëm një lutje memoriale, ku erdhën me mijëra njerëz, dhe shumica e tyre nuk ishin muslimanë, por ishin të krishterë apo edhe hebrenj. Gjithashtu, edhe funerali i këtyre të rinjve u vizitua nga 10. 000 njerëz, shumica e tyre nuk ishin muslimanë, ishin të besimeve tjera. Pra, ekzistojnë njerëz që i urrejnë muslimanët, dhe ka edhe të atillë që publikojnë gjëra kundër Islamit, por ka edhe të tillë që publikojnë shkrime kundër katolicizmit, protestantëve, judaizmit etj. Jam shumë i brengosur sepse ka njerëz të çmendur, dhe kjo është e keqja, dhe është e dhimbshme. Por, marrë në përgjithësi, përvoja e muslimanëve në Amerikë është e mrekullueshme. Unë jam musliman. Unë vij, shkoj dhe flas lirshëm si në shtëpinë time.

- Dituria Islame: Jeni një ndër teologët më gjeneroz në SHBA, ku: është fjala për mirëkuptimin ndërfetar, si keni arritur ta krijon një profil të tillë?

Yahya Hendi: Është Islami. Islami do prej meje që unë të dialogoj, Kurani thotë: "Kul ja Ehlel Kitabi, tealu ila kelimetin sevain bejnena ve bejnekum”, pra thotë: "Thuaj: "O ju Ithtarët e Librit, ejani të mirëkuptohemi në mes vete”. Pra duhet kuptuar atë se çka do Kurani prej nesh, që ne të jemi në paqe dhe dialog. Prandaj edhe u thashë studentëve të mi një të premte në një hytbe, tri javë më parë, e që është në suren El-Bekare: "Allahu, Zoti, ka dialoguar me djallin, dhe kjo është pak më larg se dialogu. Zoti është Zot, dhe djalli është djall. Por, Zoti flet. Të krishterët dhe hebrenjtë nuk janë djaj. Ata janë vëllezërit dhe motrat tona. Nëse Zoti ka dialoguar me djallin, pse të mos e bëjmë ne me fqinjët tanë?! Është matematikë shumë e thjeshtë. Pra, numër një: "Teala ila kelimetin seva”; - "Zoti dialogoi”, e që nënkupton se edhe ne duhet të dialogojmë.
Kurani, për marrëdhëniet mes të krishterëve dhe hebrenjve thotë: ”En-Taberr- Rruhum ve tuksitu ilejhim” (Pra, ju bashkëpunoni me ta dhe trajtoni ata në mënyrën më të mirë). Pra "Birr" në Kuran është sjellja më e mirë që muslimanët mund/duhet ta bëjnë.
Pra, Allahu thotë: "En Taberr-Rruhum”. Në njëfarë forme, njerëzit më të mirë me të cilët duhet të sillemi në mënyrën më të mirë janë prindërit tanë dhe Ithtarët e Librit. Kjo është ajo që na mëson Kurani. Kjo është ajo që na mëson Islami. Prandaj, kur arrij njerëz të krishterë dhe hebrenj, i respektoj, dhe kjo është ajo që do Islami. Unë këtë e thashë edhe në një ligjëratë që e dhashë në Kosovë. Profeti (Paqja qoftë mbi të!) i mirëpriste të krishterët në xhaminë e tij, e ata luteshin aty në emër të Jezusit, pra, po në xhaminë e tij. Ky është dialogu.
Kur profeti (Paqja qoftë mbi të) ishte ulur, dhe ishte një funeral i një personi, profeti u ngit në këmbë për të respektuar kufomën. Shokët e tij i thanë: “O Muhamed, ky funeral është i një hebreu”, ndërsa ai ua ktheu: "Ani çka?! Ai a nuk është njeri?!”
Profeti dhe Islami respektojnë dhe tregojnë se Islami dhe hebrenjtë vijnë nga një burim. Ky është dialogu. Kjo është përkujdesja.
Profeti thotë: "Xhibrili vazhdon të më bëjë presion mua se unë duhet të kujdesem për fqinjët e mi. Ky është Islami. Fqinjët e mi. Ne duhet të kujdesemi për ta. Kjo është ajo që thotë edhe i dashuri ynë, Muhamedi a.s. Fqinjët e mi mund të jenë të krishterë, mund të jenë hebrenj, mund të jenë budistë mund të jenë hindus. Ky është Islami. Ky nuk është një program amerikan. Ky nuk është një program i Kosovës. Ky nuk është një program i Arabisë, ky është një program i Zotit. Pra, dialogu me të tjerët. Përderisa unë e gjej veten time, unë gjej besimin tim, humanitetin tim (njerëzoren time). Kjo është pse unë besoj në këtë, kam besuar dhe do të vazhdoj të besoj në këtë. Sepse, ne kemi muslimanë të çmendur që dëshirojnë prej nesh që ne të urrejmë; ka të krishterë të çmendur që dëshirojnë prej nesh urrejtje; ka hebrenj të çmendur që nga ne dëshirojnë urrejtje; ka budistë të çmendur që prej nesh dëshirojnë urrejtje... Çka arrijmë me këtë urrejtje? Kjo urrejtje na vret. I vret fëmijët tanë, për shkak të dhunës që prodhon. Siç ka ndodhur në kontinentin e Afrikës, në Algjeri, Egjipt, Siri, Kinë, Irak, Afganistan, Pakistan, Burma, në Rusi. A është kjo zgjidhja? Pra, edhe nëse Islami nuk e kërkon prej nesh dialogun, humaniteti ynë e kërkon atë, për të bërë ndryshime. Kjo është ajo që unë bëj dhe ajo që do të vazhdoj të bëj.

- Dituria Islame: Cilat janë përshtypjet t’ua nga qëndrimi në Kosovë? Përveç tjerash, ju keni takuar edhe udhëheqësit më të lartë të BIK-ut, Myftiun Tërnava, kryimamin Bajgora, etj., si dhe keni qëndruan në institucion e BIK-ut?

Yahya Hendi: Jam shumë i impresionuar dhe shumë i lumtur. Jam shumë i prekur emocionalisht nga njerëzit që takova. Mendoj se njerëzit këtu janë shumë të mirë, dhe angazhohen të jenë shumë të mirë. Perfektja nuk ekziston askund. Ne të gjithë provojmë të shkojmë nga perfektja. Por unë jam shumë i impresionuar nga njerëzit që takova, e të cilët kanë ndarë kohë për ne, janë angazhuar të promovojnë paqe dhe angazhohen për edukimin e shoqërisë për një të ardhme më të mirë. Pra, jam shumë i lumtur që jam në Kosovë.



Intervistoi: Besnik Jaha