Katërmbëdhjetë vjeçari misliman, Ahmed Mohamed nga Irvingu i Teksasit provoi ta impresionoj mësuesin e lëndës së inxhinierisë me zbulimin e tij – orën të cilën e kishte punuar për 20 minuta, të ndërtuar nga një pllakë qarkore si dhe një kabllo furnizuese për energji të lidhur me një ekran digjital. Ora dhe të gjitha instalimet tjera ishin sistemuar brenda një kutie.
Por, në vend të përgjigjes të cilën shpresonte ta merrte, ai u arrestua sepse mësuesit të tij ora e zbuluar iu duk si bombë.
Arrestimi ka nxitur reagime të menjëhershme, duke e quajtur veprimin e policisë shpërfaqje islamofobie. Por, në një konferencë për mediat, policia sqaroi se Ahmed ishte i pastër dhe se nuk kishte asgjë të dyshimtë në zbulimin e tij.
Nga ana tjetër, e gjithë kjo ka lënë të mrekulluar disa nga personat më të fuqishëm të globit, të cilët nuk kanë hezituar të përgëzojnë adoleshentin Ahmed Mohamed.
Kështu Ahmedi ka marrë mesazhe përgëzime dhe mbështetje nga Presidenti i SHBA-ve, Barack Obama, i cili e ka ftuar të vijë në Shtëpinë e Bardhë.
Obama shprehu mbështetjen e tij në Twitter për adoleshentin: “Orë shumë e bukur Ahmed. Ke dëshirë ta sjellësh në Shtëpinë e Bardhë? Duhet të frymëzojmë më shumë fëmijë si ty që e pëlqejnë shkencën. Kjo është ajo që e bën Amerikën të madhe”.
Përgëzimeve ndaj djaloshit i është shtuar edhe Mark Zuckerberg i Facebook-ut, i cili i nisi gjithashtu një ftesë 14-vjeçarit, ndërsa shkroi në faqen e vet zyrtare në rrjetin social: “Një i ri që ka aftësinë dhe ambicien për të zbuluar diçka të bukur duhet të duartrokitet, e jo të arrestohet. E ardhmja i përket njerëzve si Ahmedi. Nëse ke dëshirë të vish në Facebook, do të isha shumë i lumtur të të takoja”.
Ndërkohë, Bobak Ferdoswi, inxhinier sistemi në NASA shkroi: “Hej Ahmed, më bëj një telefonatë pas disa vjetësh. Ne përdorim gjithmonë njerëzit e zgjuar, kurioz dhe kreativë”.