Kaloi në jetën e amshueshme imami, maul-limi dhe hatibi Mulla Hysen Ajeti

Mulla Hyseni lindi më 04.06.1953 në fshatin Llovcë KK Gjilan, nga babai Muharrem dhe nëna Bahtije. Ishte fëmija i fundit me radhë.

Mësimet e para për fenë Islame dhe shkronjat e Kur’anit i mori nga babai Mulla Muharremi.

Katër vitet e para të shkollimit fillorë i kreu në fshatin Lovcë, ndërsa katër tjera në fshatin Pogragjë, KK-Gjilan. Pas përfundimit të shkollës fillore u regjistrua në Medresenë e Mesme “ALAUDIN” në Prishtinë 1970/1975, të cilën e kryen me sukses.

Me përfundimin e Medresesë inkuadrohet në KBI të Gjilanit, në punët dhe detyrat e imamit në xhaminë e fshatit Llovcë pastaj në fshatin Sllakovc etj. Krahas punës kreu edhe Fakultetin Filologjik pranë UPS në Prishtinë, dega Orientalistikë.

Në vitin 1982, merr detyrën e inkasantit të qirave të lokaleve afariste të Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjilanit.

Prej vitit 1984 emërohet në punët dhe detyrat e punës së sekretarit të Këshillit të BI në Gjilan, detyrë të cilën e kryen me ndere, me përpikëri, me pendatëri deri në fund të vitit 2010, kur pensionohet, për shkak të kushteve shëndetësore.

Mulla Hyseni, si nxënës ishte mik i mirë, i qetë, i ndërgjegjshëm, i shoqërueshëm, transparent, i respektueshëm, i afërt me të gjithë….

Gjatë punës së tij si imam, të gjithë u shprehën në mënyrë superlative për mundin, kontributin, angazhimin dhe sakrificën e tij në mbarëvajtjen e jetës fetare në xhematë. Nuk ka qenë lehtë në ato kohëra të jesh imam. Çdo fjalë, lëvizje, përpjekje e imamit ishte në vëzhgim nga sistemi komunisto ateist të asaj kohe, ndaj duhej pasur kujdes në çdo hap të jetës. Nuk kishte dëshirë të lavdërohej as të ekspozohej, kishte dëshirë t’i kryente punë me sukses pa bërë bërë bujë dhe zhurmë ...

Mulla Hyseni la pas vetit gjashtë fëmijë dhe bashkëshorten e cila sakrifikoi shumë për hoxhën e nderuar, për fëmijët dhe për familjen në përgjithësi. Thuhet pas çdo burri të suksesshëm qëndron një bashkëshorte e madhe. Fëmijët e tij, kur i shikoje mashaellah, secili më i mirë se tjetri, të edukuar, të respektuar, të mençur e durimtar. Ata kontribuan shumë për hoxhën e nderuar, i qëndruan afër në çdo moment.

Për herë të fundit jemi takuar me mulla Hysenin në takimin e 40 vjetorit të maturës së gjeneratës së VIII-të, më 26.06.2015 në Prishtinë. Të gjithë së bashku kemi kaluar qaste të bukura dhe të paharrueshme. Ishte i hareshëm dhe u gëzua shumë që u takuam ...

Mulla Hyseni ndërroi jetë më 10.09.2015, ditën e enjte, varrimi është bërë në kohën e namazit të Ikindisë. Para se të varroset hoxhallarët i lexuan Hatmen, ndërsa namazin dhe duan e hatmes e bëri Dr. Prof. Qazim Qazimi, përderisa namazin e xhenazes ia fali nipi i tij.

Në varrim morën pjesë një numër i madh e xhematlinjve, imamëve, nëpunësit e administratës së KBI-së, përfaqësuesit e Kryesisë BIRK, Mr. Fahrush Rexhepi, dekan i FSI-së, Vedat Sahiti, këshilltar i myftisë së Kosovës, Rexhep ef. Luma, kolegët e tij të gjeneratës nga vende të ndryshme të Kosovës, Gjakova Deçani etj.

Rahmetliu do t’i mungon më së shumti familjes së tij të ngushtë, rrethit të gjer familjar, por edhe miqve, kolegëve, xhematit... etj.

Lusim Allahun e Madhëruar që hoxhën ta shpërblejë me xhenneti firdevs ndërsa familjes së tij t’ua dhuroi sabrin.

“O ti shpirt i bindur plotësisht! Kthehu te Zoti yt i vetëkënaqur e i pranuar! Hyn në turmën e robërve të Mi! Dhe hyn në xhennetin Tim!"

[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/1_1442568697.jpg[/img]

Esat Rexha
Gjakovë.