Katërmbëdhjetë vjeçari musliman, Ahmed Mohamed, i cili kohë më parë u arrestua me dyshimin se kishte sjellë një bombë në shkollën e mesme MacArthur në Irving, Texas, u takua me Barak Obamën në Shtëpinë e Bardhë
Ahmedi bashkë me presidentin Obama u takuan gjatë natës së astronomisë, ngjarje vjetore e shkencës dhe eksplorimit të hapësirës.
“Ne duhet të kultivojmë dhe të inkurajojmë ato shkëndija kurioziteti. T’i shndërrojmë në mundësi, e jo t’i shtypim,” tha Obama para audiencës, e cila përbëhej nga shkencëtarë, studentë dhe astronautë.
Ahmedi, ishte ulur në mesin e atyre që biseduan me presidentin Obama, i cili pas fjalimit të tij ia shtrëngoi dorën.
“Mos gjykoni një person sipas mënyrës se si duket. Por, gjykojeni sipas zemrës se tij.” u tha Ahmedi gazetarëve para takimit të tij me presidentin Obama.
Katërmbëdhjetë vjeçari shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Obamës pas arrestimit të tij, dhe e falënderoi atë që iu bashkua mbështetjes mbarëkombëtare, si dhe për ftesën që të vijë në Shtëpinë e Bardhë.
Ai gjithashtu publikoi një foto në Instagram, me shkrim: "Shumë i lumtur! Nuk mund të besoj se kam takuar Presidentin e Shteteve të Bashkuara!"