Medreseja e Tiranës “H. Mahmud Dashi” organizoi të premten me datë 18 mars 2016 një program artistik “Në dritën e mrekullueshme të Kur’anit Famëlartë”.
Në këtë aktivitet të ndërthurur me leximin e ajeteve të Kur’anit, ilahi, poezi, dhe aktrim, u përçuan mesazhet dhe vlerat universale të Islamit.
Në program morën pjesë, kryetari i KMSH-së, Haxhi Skender Bruçaj, rektori i Universitetit Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, drejtori i Medresesë së Tiranës, z. Omer Çallësh, Drejtori i Kulturës në KMSH Dr. Genti Kruja, drejtues shoqatash islame në vendin tonë, mësues, prindër dhe nxënës.
Kryetari i KMSH-së H. Skender Bruçaj, vlerësoi nxënësit e Medresesë, për vullnetin dhe dëshirën e tyre në përvetësimin dhe përcjelljen e mesazheve të Kur’anit.
“Kurani është drita e amshueshmërisë, dhe sa më shumë ta njohim dhe ta lexojmë aq me afër do i jemi harmonisë shpirtërore”, u shpreh z. Bruçaj.
Drejtori i shkollës, z. Omer Çallësh, bëri të njohur qëllimin e organizimit të këtij programi, teksa u shpreh: “Me këtë program duam të promovojmë edhe një herë mesazhet e larta të Kur’anit, mesazhet e jetës. Allahu e ka lidhur lumturinë e të dy botëve pas udhëzimeve të Kur’anit”.
Ndërsa rektori i Universitetit Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana falenderoi Medresenë e Tiranës për kontributin e saj dhe punën e palodhur të stafit në ndërtimin e një brezi premtues, duke i njohur ata me besimin dhe shkencën njëkohësisht.
Gjatë këtij programi u transmetua edhe reportazhi i realizuar nga Komuniteti Mysliman, “Mrekullia e Kuranit”. Nxënësit e Medresesë aktruan pjesë teatrale duke sjellë në vëmendje mikpritjen dhe respektin e mbretit të Abisinisë, Nexhashiut, ndaj myslimanëve.
Ky aktivitet u zhvillua në ambientet e Universitetit Bedër./DI/