KMSH organizon konferencën “Roli i imamëve në shoqërinë moderne”

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë organizoi konferencën “Roli i imamëve në shoqërinë moderne”.

Kjo konferencë mblodhi studiues të fushave të ndryshme të cilët kontribuuan me ide dhe këshilla të shumta për rolin e imamëve në shoqërinë e sotme.
Në fjalën e tij përshëndetëse kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Skender Bruçaj, theksoi rëndësinë e imamit në informimin dhe dhënien e njohurive fetare, si dhe marrëdhëniet që ai duhet të ketë me të gjithë anëtarët e shoqërisë apo komunitetit në të cilin ushtron aktivitetin e tij.
“Xhamia është një vend i shenjtë ku besimtari nuk vjen vetëm për të kryer adhurimet ndaj Krijuesit të gjithësisë, por edhe për t’u thelluar në shkencat fetare. Prandaj është e domosdoshme që besimtarët të motivohen që të lexojnë literaturë islame. Imami, si një lider fetar, por edhe si përfaqësues i institucionit të KMSH-së, duhet patjetër që të ketë komunikim dhe bashkëpunim me komunitetin që e rrethon, sepse siç dihet, puna dhe shërbimi që ai kryen është edhe një përgjegjësi profetike”, tha ndër të tjera kryetari Bruçaj.
Në sesionin e parë u trajtuan temat: “Si të mbrojmë veten tonë nga gabimet e trashëgimisë së ixhtihadit” nga Prof. dr. Sherif Avni, Universiteti Ummul Kura, Mekë; “Njohja e njeriut dhe shoqërisë nga drejtuesit e fesë” nga Ayhan Tekinesh dhe “Arti i komunikimit publik” nga Ramadan Çipuri, Universiteti Bedër.
Ndërsa në sesionin e dytë u trajtuan temat: “Detyra e imamit në marrëdhëniet me myslimanët dhe të tjerët” nga Dr. Jamal Safarty; “Metodat e thirrjes në kohët moderne” nga Dr. Muhammed Fethullah Mutewel’li, Universiteti Bedër dhe “Rëndësia e kumtimit në Islam” nga nënkryetari i KMSH-së, Bujar Spahiu.
Në konferencë morën pjesë studiues, myftinj e imamë nga e gjithë Shqipëria, si dhe studentë e besimtarë të shumtë./kmsh/