Turqi, tespihët gjigant 700 vjet të vjetra atraksion për turistët

Në xhaminë Sivasi Hatun në vendin Develi, jo shumë larg qytetit qendror turk Kayser, gjenden tespihët me 1.111 kokrra, por ajo që e bën të veçantë është se janë bërë para më shumë se 700 viteve, raporton Anadolu Agency.

Tespihët e bërë nga druri i bredhit, supozohet se janë bërë në vitin 1281. “Tespihët gjigant”, të gjatë 13 metra dhe me peshë prej pesë kilogramëve, ruhen në xhaminë Sivasi Hatun në vendin Develi, pranë vendit Kayser, ndërsa tërheq vëmendjen e madhe të turistëve, veçmas gjatë Ramazanit.

Imami i xhamisë Sivasi Hatun, Oktay Isci në deklaratë për AA tha se bëhet fjalë për tespihë nga periudha e selxhukëve, që shtatë shekuj të plotë ruhen në kuti prej druri në murin e xhamisë.

Ndonëse me shekuj janë aty, nuk ka mundësi që të vërehet çfarëdo deformimi. Imami po ashtu tha se tespihët nuk mbledhin pluhur, as mykë apo të prishen.

Isci tha se bëhet fjalë për tespihë shumë të rrallë, dhe se ka njohuri që vetëm edhe një lloj i tillë i tespihëve gjendet në qytetin Konyi. “Vendi Develi në atë kohë ka qenë qendër arsimore dhe shkencore. Vend prej ku janë bërë shumë hafizllarë dhe dijetarë islam.

Në pyetje se sa këto tespihë tërheqin turistët, Isci tha se interesimi është i madh, veçmas gjatë muajit të Ramazanit. “Shumë turistë, si nga Turqia, ashtu edhe nga të gjitha viset e botës, janë shumë të befasuar kur ua tregojmë këto tespihë. Thonë se më herët nuk kanë patur rast të shohin tespihë të kësaj gjatësie”, theksoi Isci.