Gjatë qëndrimit të tij në Azerbajxhan, Papa Françesku vizitoi xhaminë “Heydar Aliyev” në Baku. Gatë kësaj vizite Papa u shoqërua nga Myftiu i madh i muslimanëve të Kaukazit, Allahshukur Pashazadeh.
Kjo ishte vizita e fundit e Papës para ceremonisë së lamtumirës në aeroportin e kryeqytetit, me të cilën i dha fund udhëtimit të tij në Gjeorgji e në Azerbajxhan.
“Fakti që ndodhemi këtu sot, së bashku, është bekim!”, tha Papa Françesku në takimin ndërfetar, ku përveç muslimanëve dhe katolikëve, të pranishëm ishin edhe komunitetet ortodokse dhe hebreje.
Në xhaminë, ku Myftiu Pashazadeh i dhuroi një kopje të Kuranit dhe një sexhade, Papa tha: “Është kënaqësi e madhe të takohemi sot këtu, në këtë vend lutjeje. Bashkëpunimi me të tjerët nuk varfëron, por pasuron. Bashkëpunimi ndihmon të ndërtohen shoqëri më të mira e paqësore, si dhe të promovohet dialogu dhe kultura. Porse nevojitet vullnet i mirë nga ana e liderëve fetar”.