Imami i një prej xhamive më të rëndësishme në kulturën dhe historinë islame Mesxhidi-Aksa, Ikrime Sabri tha se gjatë dy viteve të fundit gjithsej 97 vizitorë të xhamisë në Jerusalem e kanë pranuar islamin, raporton Anadolu Agency.
Sabri tha se vizitorët prej 17 vendeve kryesisht evropiane, si turistë kanë vizituar xhaminë gjatë vitit 2015 dhe 2016, ndërsa me këtë rast në xhaminë Al-Aksa kanë kaluar në islam 97 prej tyre.
Siç theksoi Sabri në njoftimin me shkrim, shumica e numrit të përgjithshëm të personave që janë bërë muslimanë në xhaminë Al-Aksa janë shtetas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Francës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe Finlandës.
“Islami, që është fe e drejtësisë dhe tolerancës, po ashtu përfshinë të gjitha religjionet paraprake monoteiste. Muslimanët besojnë në të gjithë të Dërguarit e Zotit pa përjashtime, ndërsa ata që bëhen muslimanë, e bëjnë këtë vetëm vullnetarisht meqë Allahu i Lartësuar neve na lajmëron se në fe nuk ka dhunë”, porositi Sabri.
Ai përmendi se si imam i xhamisë ka qenë i nderuar në mundësinë për të ndihmuar ata që dëshiruan të pranojnë islamin. Mesxhidi-Aksa në Jerusalemin Lindor për çdo vit e vizitojnë qindra mijëra njerëz nga mbarë bota.