Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani vlerëson H.Ali Korçën me Dekoratën “Nderi i Kombit”

Në një ceremoni të veçantë të zhvilluar në mjediset e Institucionit të Presidentit të Republikës, Kreu i Shtetit vlerësoi me Dekoratën “Nderi i Kombit” Hafiz Ali Korçën (pas vdekjes) me këtë motivacion: “Për rolin dhe kontributin e tij të rëndësishëm e vetëmohues në dobi të çështjes kombëtare: si martir i kombit e kulturës shqiptare, si klerik atdhetar i shquar e veprimtar i flaktë për çlirimin e vendit nga zgjedha e huaj, si figurë e papërsëritshme intelektuale, duke u shndërruar në një nga dijetarët më të ndritur të filozofisë islame në Shqipëri”.

Dekorata iu dorëzua nipit të tij gjatë ceremonisë, ku ishin të pranishëm kryetari i Komunitetit Mysliman H. Skender Bruçaj, zv/kryetari i Kuvendit z. Edmond Spaho, kryegjyshi i Bektashinjve H. Dede Edmond Brahimaj, përfaqësuesi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, drejtori i Medresesë Tiranë z. Ali Zaimi, akademikë, studiues dhe të ftuar të tjerë.
Presidenti Nishani tha se ndihej i privilegjuar për dekoratën që po jepte. “Vlerësoj, nderoj të respektoj një personalitet të përmasave të jashtëzakonshme, siç ishte Hafiz Ali Korça, ishte një burrë i drejtë, dijetar, enciklopedist, poliglot, gjuhëtar, letrar, fetar i devotshëm dhe mbi të gjitha: një atdhetar i flaktë”, kreu i shtetit përgjatë ceremonisë.
Hafiz Ali Korça ka lënë pas një mal me vepra të shumë zhanreve. Gjithashtu ai ishte ndër të parët për kohën e tij që paralajmëroi rrezikun e komunizmit, nëpërmjet librit të tij “Bolshevizma”.