Qeveria e Turqisë e ka hequr ligjin që deri tani ua ndalonte grave veshjen e shamisë në institucionin e Ushtrisë.
Këtë e kanë konfirmuar edhe zyrtarët e mbrojtjes në Turqi duke thënë se ushtria turke ka ndryshuar rregullat e saj, për t'iu lejuar oficereve të bartin shaminë gjatë kohës sa janë në detyrë.
Një zyrtar, i cili foli në kushte anonimiteti, tha të mërkurën se ndryshimi në rregullore vlen për të gjitha gratë ushtarake dhe studentet në shkolla ushtarake, që duan të mbulojnë flokët edhe kur janë me uniformë.
Shamia tashmë është lejuar edhe për stafin civil në selitë ushtarake, për rojen bregdetare dhe për forcën paramilitare policore.
Shamitë në kokë, për kohë të gjatë, kanë qenë të ndaluara në shërbimet civile dhe në universitete.
Prejse ka ardhur në pushtet në vitin 2002, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, e themeluar nga presidenti aktual, Rexhep Tayyip Erdogan, ka shfuqizuar gradualisht ndalimin e bartjes së shamisë në mjedise zyrtare dhe shkolla.