Pilotja ushtarake Maybeline Thoraya Boraei Alvarez, është femra e parë muslimane në forcat ajrore të një shteti latino-amerikan, synimi i së cilës është posti i ministres së Mbrojtjes së Ekuadorit.
Alvarez thotë se si bijë e një emigranti nga Egjipti, ka qenë njëra nga kadetet më të mira në akademinë ushtarake, dhe se tani është e kënaqur me trajtimin që i bëhet në ushtrinë e Ekuadorit.
“Të gjithë miqtë dhe kolegët e mi e dinë se jam muslimane. Ata e respektojnë përcaktimin tim, madje pasi janë njoftuar me mua, disa nga ata kanë filluar të interesohen dhe të mësojnë për Islamin”, thotë 25 vjeçarja Alvarez, e cila në vitin 2008 ishte pranuar në forcat ajrore të Ekuadorit.
Alvarez thotë se falë durimit dhe përkushtimit të saj, ajo i ka tejkaluar problemet me të cilat ishte përballur në fillim të karrierës së saj ushtarake.
“Nuk ushqehesha me mish derri, prandaj në muajt e parë i humba 10 kilogram. Kjo ua tërhoqi vëmendjen dhe nga atëherë fillova të ushqehesha me ushqim të veçantë. Ndërkohë, Komanda i riorganizoi detyrat e mia dhe më mundësoi që t’i kryej obligimet fetare”, thotë Alvarez.
Alvarez është e kënaqur me statusin në Forcat Ajrore të Ekuadorit, por me punën dhe disiplinën e saj dëshiron të arrijë edhe objektivat tjera, përfshirë synimin kryesorë që të bëhet ministre e Mbrojtjes së atij vendi.
“Unë jam femra e parë muslimane në Forcën Ajrore të Ekuadorit dhe në gjithë Amerikën Latine. Populistët, disa media dhe grupe radikale janë duke punuar në krijimin e imazhit të keq të Islamit dhe muslimanëve, por ne, me shembull të mirë, duhet t’i tregojmë botës fytyrën e vërtetë të besimit tonë”, thotë Alvarez.