Fotografia nga Mostari që pushtoi rrjetet sociale: Ato nuk janë frikësuar nga hixhabi im!

Fotografia e muslimanes së mbuluar dhe dy murgeshave në Urën e Vjetër të Mostarit, ka pushtuar së fundmi rrjetet sociale të Bosnjës, por edhe gjithë rajonit.

Mesazhi është i qartë, pasuria e diversitetit, paqja dhe toleranca e ndërsjellë, janë receta më e mirë për një të ardhme të paqshme të këtij vendi.
Berina Crnisanin nga Novi Pazari, vajza që mbanë mbulesën ngjyrë rozë, u njoftua me dy murgesha nga Italia. Për këtë shoqërim interesant ajo shkroi në Facebook:
“Është fakt se si unë dhe ato veshim atë që na kanë urdhëruar të dy fetë tona - shaminë. Është fakt se sot, muslimanja e mbuluar sulmohet në çdo hap, edhe pse kjo “mbulesë” obligohet nga të gjitha fetë monoteiste”, shkruan Berina Crnisanin. Është fakt se diskriminimi kundër grave të mbuluara ka arritur në nivel të lartë, dhe kjo është e qartë se me çfarë probleme janë duke u përballur muslimanet e ditëve të sodit.”
“Sot në Mostar takova dy murgesha të cilat me buzëqeshje në fytyrë më përshëndetën dhe m’u drejtuan me disa fjalë. Jo, ato nuk u frikësuan nga unë apo nga hixhabi im, nga besimi im, por pranuan të fotografohen bashkë me mua.
Është e qartë se ne nuk jemi ata që sjellin trazira në mes njerëzve, ne nuk jemi ata që krijojnë armiq, ne nuk jemi shkaktar të racizmit, nacionalizmit … Ne jemi vetëm viktima të kësaj dynjaje të përkohshme.
Prandaj, të shpërndajmë dashuri, të tregojmë atë që na ka mësuar i Dërguari i Zotit, Muhamedi a.s.: Të jemi të mirë, të sjellshëm, të buzëqeshur. Të jemi të lumtur për diversitetin që na rrethon, të jemi të lumtur që pikërisht ne jemi ata që mund ta ndryshojmë këtë botë për të mirë”.