Punimet për ndërtimin e xhamisë Çamllëxha në Stamboll e cila njëherit do të jetë më e madhja në historinë e Turqisë, janë afër përfundimit, ndërkohë që sipas parashikimeve e njëjta do të jetë e hapur për besimtarët në fund të vitit, njofton Anadolu Agency.
Punimet për ndërtimin e xhamisë në një sipërfaqe prej 57.000 metra katrorë janë në vazhdë e sipër, ndërsa ka përfunduar pjesa më e madhe e kompleksit të cilin përveç xhamisë e përbëjnë edhe një muze, galeri artistike, bibliotekë, sallë për konferenca, atelje dhe parking.
Xhamia Çamllëxha është e vendosur në lagjen Uskudar të Stambollit gurthemeli për të cilën u vendos tre vite më parë nga presidenti i shtetit Recep Tayyip Erdoğan.
Besimtarët e parë që falën namazin në këtë xhami, kanë qenë ata të cilët më 1 korrik të vitit 2016 falën namazin e teravisë në muajin e Ramazanit, më konkretisht namazin në natën e Lejletul Kadrit, ndryshe, nata më e rëndësishme në kalendarin islam.
Aktualisht kryhen punimet për ndërtimin e rrugës dhe tunelit që do të lehtësojë aksesin në xhami, e cila paraqet një ngërthim arkitektonik të ndërtimit Selxhuk Osman dhe atij modern.
Xhamia do të ketë gjashtë minare, të cilat përfaqësojnë kushtet e besimit.
Katër minare janë të gjata nga 107 metra dhe dy të tjera me nga 90 metra.
Kubja kryesore e xhamisë është 72 metra e lartë dhe përfaqëson 72 kombe në Stamboll, ndërsa kubja e dytë është 34 metra e lartë që simbolizon numrin e qytetit. Në brendi të kubes do të jenë të shkruara 16 emrat e Allahut, ndërsa në një sipërfaqe prej 220 metra do të jetë e shkruar kaptina e Kuranit, al-Fat’h.
Edhe në dyert e mëdha në hyrje të xhamisë ka të shkruara shpëputje nga Kurani, më konkretisht disa ajete nga kaptina Ali Imran.
Xhamia mund të pranojë deri në 60.000 besimtarë (rreth 25.000 në brendësi,12.500 në oborr, dhe në oborrin në qiell të hapur edhe rreth 22.500).
Në xhami në të njëjtën kohë do të mund të falen tetë namaze të xhenazeve.
Përveç pjesës së paraparë për lutje, në kuadër të kompleksit gjendet një muze me sipërfaqe prej 11.000 metra katrorë, një galeri arti e vendosur në 3.500 metra katrorë, bibliotekë në 3.000 metra katrorë, sallë për konferenca me 1000 ulëse, tetë atelje, dhe parking për 3.500 vetura.