Qyteti i Sarandës ka pritur për tre ditë me radhë të rinj të besimeve të ndryshme fetare nga Elbasani.
Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar Elbasan në bashkëpunim me Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim, po zhvillojnë në qytetin e Sarandës kampingun veror ndërfetar “TË BASHKUAR- ME PËRKATËSI”.
Në këtë aktivitet morën pjesë studentë dhe përfaqësues të komuniteteve të ndryshme fetare.
Gjatë fjalës së tij Kryetari i Qendrës Ndërfetare Elbasan Dr. Arben Ramkaj, u ndal në rëndësinë e bashkëpunimit ndërfetar si një domosdoshmëri e cila duhet të përhapet në të gjithë Shqipërinë. Dr. Ramkaj, theksoi se ne respektojmë besimin e cilitdo dhe kërkojmë që të respektojmë njëri-tjetrin për atë që jemi.
Sotiraq Hroni, përfaqësues i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, pohoi se ndihet mirë kur sheh bashkë të rinj dhe liderë të komuniteteve të ndryshme fetare.
Ky aktivitet është një mesazh kuptim plotë jo vetëm për ne që jemi këtu por për të gjithë qytetarët Shqiptarë.
Koordinatori i Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar Elbasan Sokol Lulgjuraj, u ndal në aktivitetin e qendrës që nga krijimi i saj e deri më sot.
- Ne, tha Lulgjuraj, kemi mbi 15 vjet që jo vetëm bashkëpunojmë por edhe kemi zhvilluar një sërë aktivitetesh të cilat kanë tërhequr vëmendjen edhe të ndërkombëtarëve.
Don Emilio Valenten foli mbi rëndësinë e dialogut.
- Ne, tha Valente, nuk kërkojmë ndryshimin e besimit, por respektimin dhe pranimin e cilitdo prej nesh për atë që është dhe atë që beson. Të bashkëpunosh do të thotë të dialogosh pasi kjo është mënyra më e mirë për harmoni dhe mirëkuptim.
At Stavri Çipa, tha sa duke qenë së bashku sot këtu, na orienton drejt një bashkëpunimi më të fortë. Para disa vitesh ky bashkëpunim dukej i pamundur, por me ndihmën e Zotit dhe vizionin e liderëve fetarë ja dolëm mbanë që jo vetëm ta ngremë qendrën por edhe ta çojmë atë përpara. Duke u ulur krah për krah njëri-tjetrit ne përçojmë mesazh të qartë harmonie dhe dialogu për të gjithë.
Asnjëherë Shqipëria nuk ka pasur konflikte fetare dhe për këtë ne duhet të jemi krenarë. Baba Ardit Selmani tha se ne në Shqipëri kemi një hormoni fetare për të cilën të tjerët na shikojnë me një sy vlerësues dhe mirënjohes. - Ne, theksoi Babai, duhet të vazhdojmë në këtë rrugë të bashkëpunimit ndërfetar për ta përhapur këtë qendër në çdo cep të Shqipërisë dhe më gjerë.
Kampingu veror ndërfetar zgjati nga dt. 5 deri më 8 maj, ku përveç organizimit të ligjëratave janë vizituar edhe disa objekte kulti.
[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/untitled1_1494498865.jpg[/img]
[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/untitled2_1494498882.jpg[/img]
[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/untitled3_1494498894.jpg[/img]