Kohë më parë, kunata e ish-kryeministri britanik, Tony Blair, e bëri të ditur se është konvertuar në Islam. Gazetarja Lauren Booth ka pranuar këtë fe pasi ka përjetuar atë që ajo e përshkruan si një ''përvojë të shenjtë'' në Iran.
Ajo është vetëm një nga numri në rritje i britanikeve moderne me karrierë që kanë bërë të njëjtën gjë.
Sipas Kevin Brice nga Swansea University, i specializuar për shqyrtimin e konvertimit të të bardhëve në Islam, këto gra janë pjesë e një trendi intrigant.
''Ato janë në kërkim të shpirtërores, me më shumë kuptim, duan të jenë ato që mendojnë thellë. Lloji i dytë i grave që konvertohen në Islam janë ato që unë i quaj "konvertues nga kënaqësia". Ato pranojnë shkëlqim e kësaj feje për t'i kënaqur burrat musliman dhe familjet e tyre, por nuk shkojnë në xhami, nuk falen dhe nuk agjërojnë'', thotë Kevin Bris.
Gratë si Kristiane Backer (43), ish-prezantuese në MTV, e cila ka jetuar një jetë të lirë të stilit perëndimor, ia ka kthyer shpinën të gjithave dhe ka pranuar islamin. Cila është arsyeja e saj? Për ate, shoqëria ku çdo gjë është e lejuar nuk është asgjë tjetër pos një boshllëku artificial.
Momenti kyç për Kristiane erdhi në vitin 1992 kur ajo u takua, dhe për një kohë bashkëjetoi me ish lojtarin e kriketit nga Pakistani, Imran Khan, në kulmin e karrierës së saj. Ai e mori atë në Pakistan, ku siç thotë ajo, menjëherë preku shpirtëroren dhe ngrohtësinë e njerëzve.
''Edhe pse marrëdhënia jonë nuk zgjati, unë fillova të studioj fenë muslimane dhe në fund jam konvertuar përfundimisht në Islam. Për shkak të natyrës së punës sime, kam intervistuar shumë yje të rokut, kam udhëtuar nëpër botë duke ndjekur çdo trend, por gjithmonë në brendinë time kam ndier një boshllëk. Tani, më në fund, jam e kënaqur, sepse islami i ka dhënë kuptim jetës sime'', tha Kristian.
Në një artikull në 'Daily Mail', Kristiane thotë se njerëzit perëndimor janë nën presion nga ''arsyet artificiale'', si p.sh. çfarë rroba veshni. Në islam, çdo njëri kërkon një qëllim të lartë. Çdo gjë bëhet për ta kënaqur Perëndinë. Ky është një sistem krejtësisht i ndryshëm vlerash.
''Me gjithë stilin e jetës sime, në brendinë time ndihesha bosh dhe kuptova se sa çliruese është të jesh muslimane. Pasimi i një Zoti të vetëm e bën jetën më të pastër. Nuk nxiton pas çfarëdolloj tekesh", thotë Kristiane.
Në anketën e fundit thuhet se më shumë se gjysma e opinionit publik në Britani beson se islami ka ndikim në inkurajim të ekstremizmit, represionit ndaj grave dhe pabarazinë. Dikush mund të pyes pse atëherë dikush do të zgjidhte një rrugë të tillë për veten e tij.
Megjithatë, statistikat tregojnë se konvertimi në Islam nuk është vetëm diçka e përkohshme, por një zhvillim i rëndësishëm. Islami, në fund të fundit, është feja më e madhe në rritje në botë, ndërsa të bardhët që konvertohen në Islam janë pjesë e rëndësishme e këtij tregimi.
Për disa të konvertuar në Islam, kjo fe paraqet zbukurimin e vlerave të vjetra familjare.
Këto vlera kanë tërhequr në Islam edhe Camilla Leyland (32), mësuesen e Yoga-s e cili jeton në Cornwall. Kjo nënë e vajzës dy vjeçare Inaya, u konvertua në Islam në të njëzetat e saj për shkak të "arsyeve intelektuale dhe feministe".
''Gabimin më të madh njerëzit e bëjnë kur e përziejnë kulturën me fenë. Po, ekzistojnë kulturat muslimane që nuk u lejojnë grave disa liri individuale, por megjithatë kur unë u rrita, unë u ndjeva më e shtypur nga ana e shoqërisë perëndimore", thotë Camilla.
Ajo flet për presionin që u bëhet femrave që të sillen si meshkuj dhe të kenë seks pa kurrfarë obligimesh. ''Në të vërtetë e gjithë kjo nuk kishte kurrfarë kuptimi. Në Islam, në qoftë se filloni lidhjen, ajo është një detyrim me qëllim të shëndoshë", thotë Camilla.
Autorja e artikullit në 'Daily Mail' gjithashtu shkruan se si disa gra, me të cilat ajo ka kontaktuar i kanë thënë se veshje islame është strikte, por që është diçka që i fuqizon dhe çliron ato.