E ne dëshmojmë o Zot se jemi përmallu për mysa?rin tënd, për Ramazanin, e dora po më dridhet vetëm kur po e përshkruaj mallin e përjetimet për të, e si është gjendja e zemrave kur e kujtojnë takimin me ty o Zoti i gjithësisë.
Njeriu gjatë jetës së tij, mërzitet për gjërat që i mungojnë, mërzitet për ato gjëra, që me prezencën e tyre ndjehet i lumtur, ndjehet i qetë dhe që i ofrojnë siguri e ngrohtësi.
Malli për to bëhet edhe më i madh, atëherë kur njeriun e rrethojnë vështirësitë e atmosfera e vrazhdë, atëherë kur është i frikësuar, e kur ka nevojë t'i mposht të gjitha këto.
Në kohën e problemeve sociale e shpirtërore brenda rrethit, e deri tek ato globale, të luftërave e pamjeve të trishtuara, shpirti ka nevojë për qetësi e rehati, e malli për ty Ramazan bëhet edhe më i fuqishëm.
Për ty që je si uji i freskët në shkretëtirë, ani pse në ty ndalohet pirja e ujit.
Për ty që vjen si një ilaç për të sëmurin.
Për ty që vjen si përgëzim i madh nga qielli për banorët e Tokës.
Për ty që për pak momente për disa ditë na nxjerr nga atmosfera e përditshme, e na zbret nga treni i paqartësive të shumta.
E na mëson kuptimin real të jetës. Jemi përmallu për ty...
E si të mos përmallohemi për ditët në të cilat hapen dyert e Xhenetit dhe mbyllen dyert e Xhehenemit. “Kur të vjen muaji Ramazan, hapen dyert e Xhenetit, mbyllen dyert e Xhehenemit dhe prangosen shejtanët.” (Hadith).
Jemi përmallu për ty, e si të mos na merr malli për kohën e iftarit e për pranimin e lutjeve, ashtu siç na mësoi i Dërguari ynë i dashur a.s.: “Janë tre persona, lutja e të cilëve nuk kthehet prapa, lutja e agjëruesit kur çelë iftarin...”, e si të mos përmallohemi për pranimin e lutjeve të shumta, të cilat tashmë i kemi bërë gati.
E vallë, si të mos përmallohemi kur te ty ndiejmë shijen e adhurimeve, ndiejmë ngrohtësinë familjare në kohën e syfyrit e të iftarit, ndiejmë butësinë e Kuranit, duke na i larguar për pak momente nga duart tona telefonat, ndiejmë madhështinë e mësimeve dhe udhëzimeve kuranore, në vend të lajmeve të shumta e të pa kuptimta ditore.
Sa shumë jemi përmallu për ty, sepse na kanë rënduar gjynahet, e po presim me padurim stacionin e pastrimit e të shkarkimit nga to.
E sa e sa dhurata që i përmban kjo pako nga i Madhi Zot, secilën nga to që e kujtoj, e pres me padurim ta hapi e ta përqafoj fort dhe ta kuptoj o Zot se sa shumë na do.
Sa shumë e do faljen tonë... Sa shumë do të na afrosh te Ti... E sikur nuk na mjafton Ramazani me të gjitha këto, pikërisht tek ajetet e agjërimit na ke treguar se si të bëhemi të devotshëm e të arrihet te Ti pa ndërmjetësim. “O ju që keni besuar, u është bërë obligim agjërimi, ashtu siç ishte edhe i atyre para jush, ashtu që të bëheni të devotshëm.” (El-Bekare, 183).
Na ke treguar e na ke përgëzuar se Ti je afër robërve që pyesin për Ty. “E kur robërit e Mi të pyesin për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet...” (El-Bekare, 186).
Je afër atyre që e duan përmirësimin, je afër tyre që e duan faljen, afër tyre që e duan ngritjen.
E ne dëshmojmë o Zot se jemi përmallu për mysa?rin tënd, për Ramazanin, e dora po më dridhet vetëm kur po e përshkruaj mallin e përjetimet për të, e si është gjendja e zemrave kur e kujtojnë takimin me ty o Zoti i gjithësisë, “Agjëruesi ka dy gëzime, i pari kur ta çelë iftarin, e i dyti kur të takohet me Zotin e tij.” (Hadith), e padyshim se këtu ndalen fjalët, duke i lënë vend të gjatë meditimit e përjetimit...



Dituria Islame 376


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

"BEGATITË E RAMAZANIT" - Dr. Adnan ef. Kida & Prof. Namik ef. Vehapi