Miliona ndjenja, një zemër – rrugëtimi im në tokën e shenjtë

 


Nuk e kisha imagjinuar kurrë se një ditë do të isha mes atyre miliona besimtarëve që me lot në sy ia mësyjnë rrugës për vizitë shtëpisë së Zotit - Qabesë. Sa herë që familjarët e mi flisnin për haxhin, rrëfimi i tyre mbetej përgjysmë - përplot mallëngjim. Kujtoja se kjo ëndërr e përjetshme kishte zanafillën tek Ibrahimi a.s., kur arriti në atë vend të zbrazët dhe iu lut Zotit: "O Zoti ynë..., bëj që zemrat e njerëzve të mallëngjehen për ta!" (Ibrahim, 37).
Aty fillova të kërkoj, të lexoj dhe ta kuptoj se haxhi nuk është thjesht një udhëtim trupor, është një thirrje e zemrës, një përgjigje e shpirtit. Jo mosha, por zemra është ajo që ftohet, dhe kur ajo dëshiron sinqerisht, Zoti hap rrugët në mënyrat më të pabesueshme.
Zoti xh.sh. e bëri obligim vizitën e Qabesë, shtëpisë së shenjtë, dhe e vendosi atë si një nga pesë shtyllat e Islamit. Në shumë ajete të Kuranit na rikujton: "Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabesë) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi tek ajo." (Ali Imran, 97).
Jeta është e përbërë nga momente të vogla, por disa prej tyre mbeten të pashlyeshme. Një nga këto ishte dita e 29 dhjetorit 2023, kur mora vesh se isha e përzgjedhur nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës që të rrugëtojë bashkë me karvanin e haxhilerëve drejt Shtëpisë së Zotit e vendeve të shenjta. Në ato çaste ku ëndrrat bëhen realitet, syri loton dhe zemra e goja thonë njëzëri: "Faleminderit, o Zot!" Përgatitjet nisën gjashtë muaj më parë - shpirtërore dhe fizike - teksa numëroja ditët me emocion dhe entuziazëm që vetëm rritej.
Erdhi çasti i shumëpritur - udhëtimi drejt tokës së bekuar, vendi i profetëve. Udhëtimi me aeroplan ishte i qetë, por më shumë më preku momenti kur bëmë nijetin për umre. Pastaj filluam me "Lebbejke Allahume lebbejk. Lebbejke la sherike leke lebbejk. Innel hamde ven-ni'mete, leke vel mulk, la sherike lek". "Të përgjigjem Ty, o Zot! Të përgjigjem Ty që nuk ke shok në sundim! Falënderimi, të mirat dhe sundimi të takojnë vetëm Ty, i pashoq je o Zot!" një thirrje që ushqen shpirtin dhe e mbush zemrën me dritë sa herë që përsëritet.
Qëndrimi në Mekë të jep një ndjenjë sigurie të papërshkrueshme, një qetësi që nuk e gjen askund tjetër. Kujtoja Ibrahimin a.s., i cili u lut: "O Zoti im, bëje këtë qytet të sigurt!" (El Bekare, 126). E dija që po afrohesha, po ecja drejt Qabesë. Kur e pashë për herë të parë, ndjeva një mall të thellë, një përulje që të pushton gjithë qenien. Të qëndroja para saj, drejt së cilës jemi kthyer gjithë jetën në namaz, ishte një përjetim i papërshkrueshëm. Duke u falur, ndjeja Zotin afër - thellë, brenda shpirtit tim.
Tavafi dhe saji nuk ishin vetëm rituale, ishin udhëtime të brendshme, hapa drejt vetes sime. Çdo hap rreth Qabesë më jepte paqe, më largonte shqetësimet, më mbushte me dritë dhe shpresë.
"Mysafirët e Zotit", kështu na quajti Profeti Muhamed a.s.. Ai tha: "Nëse luten, Zoti u përgjigjet; nëse kërkojnë, Ai ua jep; dhe nëse kërkojnë falje, Ai ua fal." Këto fjalë më shoqëronin çdo ditë.
Pastaj erdhi dita e Arafatit - zemra e haxhit. Të qëndrosh në mesin e mijëra haxhilerëve, të gjithë njësoj, të përulur, me duar të ngritura drejt qiellit ishte si një pasqyrim i Ditës së Gjykimit. Ndjeva se haxhi nuk është thjesht një udhëtim fizik, por një rrugëtim i thellë shpirtëror, një rikthim te vetja, një dorëzim i plotë ndaj Krijuesit, një ditë pendese, lutjeje, qartësie.
Ka vende që i arrin me këmbë, por Medina është ndryshe, atje shkon me shpirt. Aty prehet i Dërguari i Zotit, Muhamedi a.s., ai që e ndriçoi njerëzimin me dritën e shpalljes, me mëshirën e karakterit dhe me forcën e shembullit të tij. Të qëndroja para varrit të tij, ishte kulmi i përvojës sime. Ai na mësoi të duam Zotin, të përballojmë sprovat, të falim, të lutemi, të jetojmë me dinjitet dhe të vdesim me shpresë.
Ky udhëtim nuk ishte thjesht një rrugë fizike drejt një vendi të shenjtë, ishte një kthim drejt vetes, një lidhje e fortë me Zotin dhe një rizgjim i shpirtit. Çdo hap, çdo lutje, çdo lot i derdhur përpara Qabesë dhe në Arafat, më kujtoi se përvoja e haxhit nuk përmbyllet me kthimin në shtëpi, ajo vazhdon në çdo ditë të jetës, në çdo lutje që bëjmë, në çdo vepër të mirë që zgjedhim të bëjmë. Tashmë e di se haxhi nuk është vetëm një kujtim i bukur, por një përgjegjësi e re shpirtërore, një dritë që duhet mbajtur gjallë, sepse zemra që ka prekur Qabenë nuk mund të jetë më kurrë e njëjtë.


 


Dituria Islame 415


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjakovë bën thirrje për ndihmë në ndërtimin e xhamisë