Hyrje
Kurbani përbën një nga format më të rëndësishme të adhurimit në Islam, i cili shfaq në mënyrë të dukshme lidhjen ndërmjet besimtarit dhe Zotit të tij. Ky akt kryhet gjatë ditëve të festës së Kurban Bajramit dhe rrënjët e tij lidhen me ngjarjen madhore të sakrificës së pejgamberit Ibrahim a.s., i cili ishte i gatshëm të sakrifikonte birin e tij Ismailin a.s., në bindje të plotë ndaj urdhrit hyjnor.
Ky ritual nuk duhet kuptuar vetëm si një akt formal i therjes së një kafshe, por si një shprehje e thellë e devotshmërisë (takva), e sakrificës dhe e solidaritetit shoqëror. Në këtë punim do të trajtohen normat që rregullojnë kurbanin, si dhe qëllimet e tij shpirtërore dhe sociale, duke u mbështetur në burimet themelore islame: Kuranin dhe Synetin.
Baza kuranore e kurbanit
Kurbani ka një themel të fortë në Kuran. Allahu i Madhëruar thotë: "Ne të dhamë ty (o Muhamed) të mirat e shumta. Andaj fal namaz për Zotin tënd dhe ther kurban." (El-Keuther, 1-2). Ky ajet e lidh drejtpërdrejt kurbanin me namazin, duke e paraqitur atë si një akt adhurimi të rëndësishëm dhe të lidhur me falënderimin ndaj Zotit.
Një tjetër ajet që shpjegon thelbin e kurbanit është: "Tek Allahu nuk arrin as mishi i tyre dhe as gjaku i tyre, por tek Ai arrin devotshmëria juaj." (El-Haxh, 37) Kurbani simbolizon gatishmërinë për të sakrifikuar diçka të vlefshme për hir të një qëllimi dhe besimi më të lartë. Që nga fillimi i racës njerëzore, në fjalimin e parë rreth kurbanit, me shembullin e bijve të Ademit a.s., Habilit dhe Kabilit, ne gjithashtu e kuptojmë se, siç thuhet në Kuran: "Vërtet, Allahu pranon vetëm prej atyre që janë të devotshëm (i frikësohen Zotit)!" (El-Maide, 27).
Ne jemi të vetëdijshëm se mishi dhe gjaku i kurbanit nuk do të arrijnë tek Allahu i Lartësuar, siç na udhëzoi Ai, por do të arrijë devotshmëria jonë. Pa devotshmëri, kurbani e humbet kuptimin dhe qëllimin e tij themelor. Allahu xh.sh., nuk ka nevojë për sakrificën, mish apo gjak. Ai është i pavarur nga gjithë këto. Ai dëshiron nga ne devotshmëri, bindje dhe afërsi ndaj Tij të Plotfuqishëm. Vetëm kurbani i tillë është i vlefshëm tek Allahu xh.sh., dhe vetëm nga të tillët, të devotshmit do të pranohet kurbani.
Gjithashtu, rrëfimi i Ibrahimit a.s., dhe Ismailit a.s., në suren Es-Saffat (102-107) paraqet modelin më të lartë të bindjes dhe sakrificës: "O biri im, unë po shoh në ëndërr se po të ther ty, prandaj shiko çfarë mendon!" Ai tha: "O babai im, bëj atë që të urdhërohet..." (Es-Saffat, 102-103). Me sprovën vjen edhe lehtësimi e shpërblimi për sakrifikim: „O Ibrahim, ti i je përgjigjur frymëzimit në ëndërr, - dhe Ne në këtë mënyrë i shpërblejmë ata që bëjnë vepra të mira, - kjo ishte me të vërtetë një sprovë e vërtetë!" (Es-Saffat, 104-105)
Ky dialog përfaqëson kulmin e nënshtrimit ndaj vullnetit hyjnor dhe përbën bazën simbolike të kurbanit. Gjaku i kurbanit mbron gjakun tonë dhe gjakun e fëmijëve tanë - ashtu sikur që shpëtoi Ismailin a.s., dhe gjakun e tij.
Normat juridike të kurbanit
Therja e kurbanit bën pjesë në veprat me të cilat i afrohemi Allahut xh.sh., dhe tregon një gatishmëri për sakrifikim material. Allahu xh.sh., në Kuran, në suren "Keuther", thotë: "Dhe fal namazin në emër të Zotit tënd dhe sakrifiko në emër të Tij!" (El-Keuther, 2) Disa komentues të Kuranit thonë se në ajet përmendet kurbani, i cili theret pas namazit të Bajramit. Prandaj, sipas mendimit të dijetarëve të shkollës sonë juridike hanefite, therja e kurbanit bie në shkallën e dytë të detyrave fetare - vaxhib.
El-Imam Abdullah b. Mahmud el-Mevsilij el-Hanefij, në librin e tij El-Ihtijaru li ta'lili-l-muhtari, thotë se: "Therja e kurbanit është vaxhib për çdo mysliman, që është i lirë, në vendin e vet dhe që ka mundësi materiale." Për sa i përket obligimit, Imam Tahaviu e ka theksuar faktin se therja e kurbanit është vaxhib tek Ebu Hanifeja, ndërsa është synet tek Imam Ebu Jusufi dhe Imam Muhamedi.
Hadithi i Muhamedit a.s., thotë: "Therni kurban, sepse është traditë (synet) e babait tuaj Ibrahimit a.s." (Ibn Maxhe, Sunen, 3127) Ky është urdhër dhe prej tij del obligimi i therjes së kurbanit.
Transmetohet nga Enesi r.a., se ka thënë: "Edhe Pejgamberi sakrifikoi dy desh të larmë e me brirë. Që të dy i theri me dorën e vet, duke thënë: "Bismilah (me emrin e Allahut)" e duke bërë tekbir (duke thënë: "Allahu Ekber") dhe duke ua vendosur këmbën në faqe." (Buhariu, Sahih, 5565, Muslimi, Sahih, 1256)
Ka shumë hadithe që tregojnë për vlerën e therjes së kurbanit, ndër të cilat mund të veçojmë hadithin në të cilin Pejgamberi a.s., thotë: "Nuk ka vepër më të dashur tek Allahu në ditën e Kurbanit Bajramit sesa derdhja e gjakut (të kurbanit)" (Tirmidhiu, El-Xhami', 1493). Ky hadith tregon vlerën e lartë të këtij akti në aspektin shpirtëror.
Po ashtu, Pejgamberi a.s., ka thënë: "Kush ka mundësi dhe nuk ther kurban, le të mos i afrohet vendit tonë të faljes (musallas)" (Imam Ahmedi, Musned, 8273 dhe Ibn Maxhe, Sunen, 3123. Hakimi thotë se hadithi është i saktë, kurse imamët e tjerë thonë se hadithi është "meukuf")
Këto fjalë të Muhamedit a.s., shumë qartë na tregojnë se therja e kurbanit është e obliguar, sepse, po të mos ishte kështu, Pejgamberi a.s., nuk do t'i ketë ndaluar atij që ka mundësi e nuk therë kurban, t'i afrohet musallas - vendit ku e fali namazin Pejgamberi a.s., me sahabët.
Kushtet e kurbanit
- Përshtatshmëria e atij që e ther kafshën (kurbanin): Çdo mysliman që ka mundësi financiare, i mençur, në moshën madhore.
- Kafsha: Duhet të jetë nga llojet e lejuara (dele, dhi, lopë ose deve), pa të meta fizike.
- Posedimi i mjetit me të cilin do të kryhet therja: ku përfshihet çdo mjet i mprehtë me të cilin mund të lëshohet gjak, pa marrë parasysh nëse është prej hekuri, guri apo diçkaje të ngjashme.
- Koha: Fillon pas faljes së namazit të Kurban Bajramit dhe zgjat deri në ditët e teshrikut.
- Nijeti (qëllimi): Duhet të jetë ekskluzivisht për hir të Allahut.
Shpërndarja e mishit
Muhamedi a.s., porosit: „Nga kurbanet - hani, shpërndani dhe ruani". (Buhariu, Edebu'l-Mufred, I, 198). Tradita pejgamberike sugjeron që mishi të ndahet në tri pjesë:
1. Për familjen,
2. Për të afërmit dhe miqtë,
3. Për të varfrit dhe nevojtarët.
Shpërblimi për kurban
Allahu xh.sh., përmes Pejgamberit a.s., garanton: „Pronari i kurbanit ka shpërblim për secilën qime të kurbanit." (Ibn Maxhe, Sunen, 3127) dhe thotë: „O njerëz therni kurban dhe shpresoni në shpërblimin për gjakun e tij, edhe pse bie në tokë gjaku i tij, ruhet tek Allahu i Lartësuar." (Taberiu)
Dimensioni shpirtëror i kurbanit
a) Devotshmëria
Siç u përmend në ajetin 37 të sures El-Haxh: "Tek Allahu nuk arrin as mishi i tyre dhe as gjaku i tyre, por tek Ai arrin devotshmëria juaj", thelbi i kurbanit është takvaja - devotshmëria. Kurbani është një mjet për ta forcuar vetëdijen tonë dhe për ta edukuar shpirtin në sinqeritet. Ky ajet thekson qartë se qëllimi i kurbanit nuk është aspekti material i kubanit, por sinqeriteti dhe përkushtimi i besimtarit. Pra, dimensioni shpirtëror është ai që i jep vlerë këtij akti.
b) Sakrifica dhe nënshtrimi
Kurbani përkujton gatishmërinë e Ibrahimit a.s., për të sakrifikuar më të dashurin e tij - Ismailin a.s. Ky mesazh mbetet aktual për çdo besimtar: gatishmëria për të sakrifikuar dëshirat personale në emër të parimeve hyjnore.
Koncepti i kurbanit dhe viktimës nuk mund të jetë i lidhur me egoizmin, lakminë për pasuri dhe rrëmbimeve kafsharake për të mirat e dynjasë. Kuptimi i kurbanit dhe sakrificës është prirje për të mirën e përgjithshme, për ideale. Për këtë arsye, në rrugën e Allahut, e cila prinë jetën, nuk duhet të kenë ndikim egoizmi dhe lakmia, sepse, atë betejë e bëjnë të pafrytshme.
Dimensioni social dhe etik i kurbanit
Kurbani nuk është një akt individual i izoluar; ai ka ndikim të thellë në shoqëri.
a) Solidariteti dhe sakrifica jetësore
Duke shpërndarë mishin tek të varfrit, kurbani kontribuon në uljen e pabarazive sociale dhe në përmirësimin e mirëqenies së komunitetit. Ai krijon një ndjenjë bashkësie dhe ndihmon në forcimin e lidhjeve ndërmjet njerëzve.
Duke iu afruar Zotit, ne i afrohemi njëri-tjetrit përmes kurbaneve tona. Po i afrohemi njeriut. Kjo është arsyeja pse ditët e Kurban Bajramit janë gjithashtu ditë të solidaritetit, fisnikërisë, gëzimit dhe vetëdijes së lartë për të mirën e përbashkët dhe komunitetin e njerëzve.
Nga anën tjetër, nuk është qëllimi i kurbanit ekskluzivisht të ndihmojmë të varfër duke iu ndarë atyre copë mishi, siç përmendet zakonisht si qëllim i kurbanit, por, qëllimi kryesor i tij është se kurbani e përgatit shpirtin për sakrificën dhe e përgatit njeriun për jetën.
b) Bujaria dhe humanizmi
Bujaria dhe humanizmi janë vlera të rëndësishme që çdo besimtar duhet t'i kultivojë. Kurbani i mëson besimtarët të jenë bujarë dhe të ndajnë me të tjerët, duke treguar dhembshuri dhe respekt. Duke vepruar kështu, ata zhvillojnë ndjenjën e përgjegjësisë dhe solidaritetit ndaj të tjerëve. Këto vlera e bëjnë besimtarin një shembull të moralit dhe humanizmit në shoqëri
c) Ruajtja e traditës fetare
Ruajtja e traditës fetare ndihmon besimtarët të lidhin brezat dhe të njohin vlerat e tyre shpirtërore. Përmes përkujdesjes për zakonet dhe ritualet, ruhet identiteti fetar dhe kulturor. Kjo ndihmon gjithashtu në edukimin moral dhe shpirtëror të individit. Duke respektuar traditën, besimtarët forcojnë lidhjen me komunitetin dhe Zotin.
Tradita e therjes së kurbanit ruan dhe transmeton një nga praktikat më të vjetra të fesë islame, duke e lidhur brezin e sotëm me historinë e pejgamberëve dhe me trashëgiminë shpirtërore.
Përfundim
Kurbani si akt adhurimi përfaqëson një ndërthurje të thellë të besimit, sakrificës dhe solidaritetit. Ai nuk është vetëm një ritual simbolik, por një praktikë me ndikim të gjerë shpirtëror dhe shoqëror. Përmes respektimit të normave dhe kuptimit të qëllimeve të tij, besimtari arrin të përjetojë një formë të plotë të adhurimit dhe të kontribuojë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më humane.
Literatura e konsultuar:
1. Abullatif ez-Zubejdi, Buharijina zbirka hadisa (sažetak), El-Kalem, (Sarajevë, 2004).
2. Asmir Salihović, O začudnosti govora 2 (Hutbe hafiza u BiH), Bookline, (Sarajevë, 2010).
3. El-Imam Abdullah b. Mahmud el-Mevsilij el-Hanefij, El-Ihtijaru li ta'lili-l-muhtari, vëllimi 4, përktheu nga arabishtja: Driton Arifi, (Tiranë-Prishtinë-Shkup, 2025).
4. El-Munziri, Muslimova zbirka hadisa (sažetak), El-Kalem, (Sarajevë, 2004).
5. Esad Bajić, Kurban i hadždž, Sabah-print, (Mostar, 2012).
6. Fuad Sedić, Ogranci imana, El-Kelimeh, (Novi Pazar, 2008).
7. Mustafa Fetć, Kazivanje sa mimbera, (Novi Pazar, 2006).
8. Rešat ef. Plojović, „Klanje kurbana je vadžib-obavezno", Glas islama, (Novi Pazar, 20. shtator 2013).
9. Resul ef. Rexhepi, „Disa dispozita të Sheriatit lidhur me Kurbanin", nga web-faqja: https://bislame.net/kurbani/.
10. Sahih El-Buhari (El-Buharijeva zbirka hadisa), nga arabishtja përktheu: Mahmut Karalić, Vëllimi i 6, (Novi Pazar, 2016).
11. Sejid Sabik, Legjislacioni i traditës së Profetit a.s., (Fikhus-sunneh), Vëllimi i dytë, AIITC, (Tiranë, 2008).
12. Semir Imamović, „Propisi klanja (uopšteni propisi i propisi klanja kurbana posebno)", SAFF, Mars 2001, Nr.51, (Sarajevë, 2001).
13. Sherif Ahmeti, Kur'ani (përkthim me komentim), botoi: Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës për RSS, (Prishtinë, 1988).