Kurbani – urtësitë dhe dispozitat e tij

 


Kurbani është një prej ibadeteve ose adhurimeve nëpërmes së cilit besimtarët synojnë ngritjen e devotshmërisë dhe afërsinë e tyre me Zotin xh.sh.. Kurbani ekziston që nga koha e Ademit dhe bijve të tij, por që nga koha e Ibrahimit merr tjetër tretman. Legjitimiteti i tij u përforcua edhe më shumë për Muhamedin a.s. dhe për pasuesit e tij, deri në Ditën e Gjykimit. Nëse shikojmë ndodhinë e Ibrahimit a.s. me birin e tij Ismailin a.s., e kuptojmë se ai ishte në gjendje ta flijojë edhe djalin apo birin e tij, vetëm e vetëm për të shprehur gatishmërinë për sakrificë për hir të Zotit xh.sh., qoftë edhe me njeriun më të dashur të tij, birin e tij.
Rëndom Zoti xh.sh. nuk deshi një punë të tillë, sepse obligimet fetare nuk janë barrë që rëndojnë supet e pejgamberëve dhe gjendjen e besimtarëve, por deshi që të na tregoi neve se pejgamberët e Zotit, që ju besimin në ta e keni pjesë të imanit tuaj, e pasimin e tyre e keni pjesë të Islamit tuaj, marrjen e cilësive të tyre e keni pjesë të personalitetit tuaj, për të zbatuar urdhrat e Zotit kanë qenë në gjendje të sakrifikojnë edhe evladët e tyre, e lëre më gjërat materiale, vetëm për ta shprehur respektin maksimal për zbatimin e urdhrave të Zotit xh.sh..
Prandaj, edhe ne si besimtarë dhe pasues të profetëve, në asnjë mënyrë, nuk guxojmë ta vëmë në mëdyshje therjen e një shtaze për kurban, ngase kështu edhe ne shprehim gatishmërinë tonë për sakrificë për hir të Allahut të Madhërishëm, ashtu si shprehën gatishmërinë edhe pejgamberët tonë që ne i besojmë dhe i pasojmë.


Norma e therjes së kurbanit


Kurbani është obligim (vaxhib) për çdo besimtar mysliman, moshërritur, mentalisht i shëndoshë, dhe që ka mundësi materiale aq sa me prerjen e kurbanit nuk rrezikon buxhetin e nevojshëm të familjes së tij.(1)
Allahu xh.sh. në Kuran thotë: "Falu dhe therë kurban për hir të Zotit tënd!" (El Kevther, 02).
Po ashtu edhe Pejgamberi a.s. në hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejreja r.a. kishte thënë: "Kush ka mundësi për të ther kurban dhe nuk ther kurban, as Bajramin mos të vije për ta falur."(2)
Andaj, siç kuptohet nga ajeti dhe hadithi i lartpërmendur, therja e kurbanit mbetet një nga obligimet (vaxhibet) e besimtarit. Dhe rëndom, nëse dikush ka mundësi për të ther Kurban dhe nuk e ther atë, ai bën mëkat, dhe konsiderohet se pa arsye ka anashkaluar respektimin e këtyre urdhrave nga Zoti dhe i Dërguari i Tij.


Urtësitë e therjes së kurbanit


Edhe kurbani (ngjashëm si adhurimet e tjera), në vetvete ngërthen urtësi, të cilat realizohen pas manifestimit të tij. Ndër ato urtësi që mund të theksojmë për kurbanin janë:
Falënderim për Zotin për begatitë dhe mirësitë e Tij. Sa herë që besimtari shpenzon diçka për hir të Zotit, apo sakrifikon diçka materiale për hir të Zotit, konsiderohet edhe falënderim për Të, ngase e ndien në shpirtin e tij se edhe ai duhet të bëj mirë, pasi që Zoti i ka bërë mirë atij. E blerja e kurbanit, derdhja e gjakut të tij, pastaj shpërndarja e një pjese të mishit të tij, rëndom konsiderohet falënderim për Allahun xh.sh., për begatitë e dhuruara prej Tij.
Shpresa për faljen e mëkateve. Kjo urtësi konkludohet nga ajo që transmetohet nga Pejgamberi a.s., se i kishte thënë Fatimes r.a.: "Shko dhe prezanto kur të theret kurbani yt, se vërtet me rënien e pikave të para të gjakut të kurbanit, të falen mëkatet e veprimeve tua."(3)
Ringjallja e një sakrifice dhe simbolike të madhe që e ka bërë Ibrahimi a.s.. Për një gjë të tillë, Pejgamberi a.s., i porosiste shokët e tij duke u thënë: "Preni kurban, se prerja e kurbanit është synet i prindit tuaj, Ibrahimit a.s.."(4)
Përkujdesja për të varfrit në ato ditë të festës së Bajramit. Vërtet shpërndarja e një pjesë të kurbanit për të varfrit dhe skamnorët në atë ditë, konsiderohet një prej veprave të çmuara për besimtarët. Përveç që kryejmë obligimin tonë para Zotit, kryejmë edhe një obligim ndaj atyre që sofrat e tyre janë të varfra në këtë ditë të bekuar.


Koha e therjes së kurbanit


Koha e therjes së kurbanit është pas faljes së namazit të Bajramit, dhe vazhdon deri në fund të ditës së tretë të Bajramit. Lejohet prerja e kurbanit para faljes së Bajramit vetëm për ata persona, të cilët nuk mund të prezantojnë na namazin e Bajramit, (ose nuk e kanë obligim namazin e Bajramit) ngase prerja e kurbanit këta persona nuk i pengon nga përgatitja për namaz.


Kushtet që duhet t'i plotësojë shtaza për t'u pranuar për kurban


Për të qenë një kafshë e pranuar për kurban, patjetër që duhet të plotësohen disa kushte, e të cilat janë:
Që të jetë shtazë e butë shtëpiake. Kurbani patjetër duhet të jetë një nga shtazët shtëpiake e të cilat mishin e kanë të lejuar për besimtarin. Në këtë kuadër hynë deveja, buallica, lopa, delja dhe dhia. Nuk lejohen shtazët e egra, si dhia e egër, dreri e të ngjashme, edhe nëse arrijmë t'i kapim ato në kohën e prerjes së kurbanit.
Që shtaza të ketë arritur moshën e caktuar. Deveja duhet t'i ketë së paku 5 vjet, lopa 2 vjet, dhia 1 vjet, dhe delja së paku 6 muaj nëse është e shëndoshë dhe nuk dallohet nga kopeja për nga zhvillimi fizik i saj.
Që shtaza të jetë pa të meta fizike. Kafsha e dedikuar për kurban nuk guxon të jetë e sëmurë ose me të meta të dukshme. Kështu që shtaza që është e verbët në një ose në dy sy, ajo që i mungon më shumë se gjysma e veshit, ose i mungon më shumë se gjysma e bishtit, ajo që i ka brirët e thyer, ajo që i ka të gjithë ose më shumë se gjysmën e dhëmbëve të rënë, ajo që është dukshëm e ligë, ajo që shqepon (që është e çalë), ajo që nuk mund të shkon deri te vendi i therjes me këmbët e veta, ajo që shihet dukshëm se është e sëmurë, e të ngjashme nuk bënë të prehen për kurban.(5)
Thënë më thjesht, sipas juristëve islamë, çdo e metë e cila ia ulë çmimin dhe vlerën shtazës në treg e bën atë shtazë të papranueshme për kurban, dhe çdo e metë e lehtë, e cila nuk ndikon në vlerën dhe uljen e çmimit të shtazës në treg, nuk është pengesë që ajo shtazë të bëhet nijet për kurban.


Për sa persona vlen kurbani


Kafshët e mëdha, siç janë devetë, buallicat dhe lopët, vlejnë deri për shtatë persona, me kusht që të gjithë ta kenë nijetin e kurbanit kur e therin atë shtazë. Lejohet të jenë më pak se shtatë nëse kanë mundësi dhe dëshirë për një kurban të tillë, por nuk lejohet që të jenë me shumë se shtatë pjesëmarrës në therjen e atij kurbani.
Ndërsa kafshët e vogla, si delja dhe dhia, vlejnë vetëm për një person, ose për një familje nëse anëtarët e asaj familje nuk kanë mundësi të therin më shumë se një kurban. Transmetohet se Muhamedi a.s., kur kishte therur kurban kishte thënë: "O Zot, pranoje prej Muhamedit dhe familjes së Tij dhe prej gjithë besimtarëve!"(6)


Shpërndarja e mishit të kurbanit


Preferohet që mishi i kurbanit të ndahet në tri pjesë: Një pjesë t'u shpërndahet familjeve të varfra apo skamnorëve, një pjesë t'u ndahet të afërmve, fqinjëve dhe farefisit, dhe një pjesë të lihet për familje në mënyrë që edhe familjarët të hanë nga mishi i atij kurbani dhe ta përjetojnë gëzimin e prerjes së kurbanit.(7) Allahu xh.sh. në Kuran thotë: "Dhe hani prej mishit të tyre (të kurbanit) si dhe ushqeni nevojtarin e të varfrin!" (El Haxh, 28). Po ashtu edhe Pejgamberi a.s., ka thënë në një hadith: "Hani, ushqeni të tjerët dhe konservoni për vete."(8)


Autorizimi i institucionit të BIK-ut për therjen e kurbanit


Nëse besimtari për ndonjë arsye të tij nuk ka mundësi ta ther kurbanin, ose edhe ballafaqohet me vështirësi për një gjë të tillë, atëherë lejohet që t'i autorizojë organet e BIK ut që ata ta bëjnë therjen e kurbanit dhe shpërndarjen e mishit të tij.
Në këtë rast, autorizimi që bëhet në Kryesinë e BIK-ut, apo në këshillat dhe xhamitë në teren, duke bërë pagesën e kurbanit, është një lehtësim shumë i madh për disa arsye:
Shumë prej qytetarëve sot banojnë brenda në qendra të qyteteve dhe në ndërtesa shumëkatëshe, e që qendrat dhe apartamentet e tilla e pamundësojnë një veprim të tillë.
Shumë prej qytetarëve sot, nuk kanë nevojë fare për mishin e kurbanit dhe as që e dëshirojnë atë, e një autorizim i tillë do t'ua mundësonte atyre ta kryejnë obligimin e tyre para Zotit në mënyrën më të lehtë të mundshme.
Me një pjesë të atij mishi do të ushqehen nxënësit e Medresesë, që në të ardhmen do jenë kuadro të cilët do t'i shërbejnë këtij vendi dhe kështu edhe do të forcohet institucioni ynë, i cili me përkushtim të madh i shërben popullit dhe besimtarëve të këtij vendi.
Në anën tjetër, BIK, me gjitha institucionet e saj ka një përvojë të madhe në prerjen e kurbanit. Nën ombrellën e saj funksionin edhe Shoqata Humanitare "Bereqeti", e cila me besnikëri të madhe kryen amanetin nga qytetarët tanë.


Disa rregulla të përgjithshme për prerjen e kurbanit


Të përmendet emri i Allahut xh.sh. para therjes së kurbanit, duke thënë thuhet "Bismilah, Allahu Ekber." Allahu xh.sh. ka thënë: "Mos hani nga ajo që (para therjes) nuk është përmendur emri i Allahut xh.sh., sepse vërtet ajo është mëkat." (El Enam, 121).
Mos të përfitohet asgjë nga kurbani, madje as nga lëkura e tij. Lëkura e kurbanit nuk duhet të shitet e as t'i jepet therësit si pagesë për punën e tij. Pejgamberi a.s. ka thënë: "Kush e shet lëkurën e kurbanit, ai nuk ka kurban."(9)
Mundësisht mos të lihen mbeturinat e kurbanit (si stomaku, zorrët, gjaku) skaj rrugëve dhe vendeve publike, ku më pastaj kundërmimi i erës dha papastërtia do t'i pengonte banorët e atij vendi. Preferohet që gjaku dhe mbeturinat të futen në dhe, nëse ka mundësi, duke u mbështetur në argumentet e përgjithshme për ruajtjen e pastërtisë.
Të mprehët mjeti i therjes para therjes së kurbanit. Pejgamberi a.s. ka thënë: "Kur ndokush dëshiron të ther kurban, le ta mpreh mirë shpatën e tij, e mos ta maltretoj shtazën e tij ."(10)


__________________________________________________
1. El Hidajeh sherh Bidajeh 4/351, Imam Merginani, Shtëpia Botuese "Erkam bin ebil Erkam", Bejrut, pa vit botimi.
2. Transmeton Imam Ahmedi në Musned 2/321.
3. Transmeton Hakimi në "Mustedrek" 4/247.
4. Transmeton Hakimi në Mustedrek me nr. 5318.
5. Erkanul Islam 2/504-512, Vehbi Sulejman Gavoxhi, Darul Besheir el Islamijeh, 2002, Bejrut.
6. Transmeton Imam Muslimi me nr. 3751.
7. Elubab fi Sherhil Kitab, Abdul Ganij el Mejdani, f. 594 598.
8. Transmetom Tirmidhiu me nr. 1510.
9. Transmeton Hakimi në Mustedrek me nr. 2/422.
10. Transmeton Imam Muslimi me nr. 1955.


 


Dituria Islame 403


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjakovë bën thirrje për ndihmë në ndërtimin e xhamisë