Xhamia e Ethem Beut – 20 vjet rilindje

Mehmet Sinella

Zbardhi Dita e Madhe

Një verset i Kuranit thotë: “Duan ta shuajnë dritën e Zotit me propagandën e tyre...po nuk do t’ia arrijnë qëllimit”.
M’u kujtuan këto fjalë atë ditë të premteje. Ishte 18 janari i vitit 1991. Në Tiranë, pas afro një çerek shekulli, do të rihapej xhamia muze e Et’hem Beut. Kjo do të bëhej me ceremoni.
Disa ditë përpara, një grup nismëtarësh myslimanë, shumica medresistë, si Xhavit e Iljaz Alimehmeti, Ramazan Rysheku, Ibrahim Balla, etj., duke u prirë nga fjalët kuranore “Kapuni me litarin e Zotit të gjithë dhe mos u ndani kurrë”, iu vunë punës për pastrimin e mjedisit të xhamisë. Ata vendosën nëpër mure citate nga Kurani. Në vende të caktuara jashtë u montuan disa altorpolantë në drejtime të ndryshme me qëllim që tërë ceremonia të ndiqej sa më mirë nga të gjithë të pranishmit që kishin mbushur sheshin në të tri anët e xhamisë.
Një fotografi e asaj kohe flet më mirë për numrin e qytetarëve të Tiranës të pranishëm me këtë rast. Në të merrnin pjesë njerëz të moshave më të ndryshme. Në fytyrat e tyre lexohej gëzimi për këtë ngjarje të madhe, e cila shënonte lejimin e ushtrimit të besimit në vendin tonë. Tek të rinjtë e shumtë më tepër vihej re kureshtja, sepse ata lindën dhe u rritën në periudhën kura krahas lirive të tjera, edhe ushtrimi i fesë qe ndaluar në Shqipëri.
Në orën 11 filloi ceremonia e rastit. Ishte z. Ibrahim Balla që mbajti fjalën, duke u uruar tërë besimtarëve për këtë të madhe në jetën e vendit tonë, për një adhurim të lirshëm të Allahut (xh.sh.).
Duke patur parasysh përbërjen heterogjene të të pranishmëve, ai i bëri një prezantim Islamit. Pasoi me një pjesë kuranore dhe përmendje të disa sentencave profetike, disa prej të cilave qenë: “Mos hiqni shpresën prej Zotit”, “Puno për këtë sikur do të jesh gjithmonë, punon për jetën tjetër sikur do të vdesësh nesër”, “kërkoje diturinë prej djepit deri në varr”, “Kërkimi i diturisë është i domosdoshëm për çdo mysliman dhe myslimane”, “Punëtori është i dashuri i Zotit”.
Feja islame, që ka shumë milionë ithtarë në mjaft vende të botës, ka një mision fisnik në rregullimin e botës. Për të ardhmen roli i saj do të jetë po kaq fisnik në bashkimin e Lindjes me Perëndimin, qoftë në fushën intelektuale ashtu edhe në atë kulturore e politike.
U vazhdua me Mevludin që këndohej nga nismëtarë medresistë, me këndimin e himneve fetare, të ekzekutuar nga besimtarë, duke krijuar kështu një kor masiv.
Shumë të moshuar e përcollën këtë ngjarje me lot në sy, ndërsa të rinjtë shikon njëri-tjetrin dhe pyesnin: -Ç’të keqe paska feja me të gjithë këto këshilla të dobishme?
Ata qenë rritur duke mësuar në shkollë e gjetiu të pavërtetën për fenë.
Atë të premte për ta kishte zbardhur një ditë e madhe. /kmsh/