Rreziku i medias qëndron në faktin se nuk i lë njerëzit të pandryshuar; përkundrazi, lë gjurmën e saj tek ata, për mirë a për keq.
Media (FB) mund të ngrejë vlera, të përhapë ide, të ndryshojë interesa dhe të sjellë çështje të harruara përsëri në qendër të vëmendjes së njerëzve.
Prandaj, nëse ata që bëjnë mirë do të tërhiqeshin nga arena mediatike, ajo nuk do të mbetej bosh; të tjerët (të këqijtë) do ta mbushnin atë.
Nëse gënjeshtra sot përdor median në të gjitha format dhe metodat e saj për të arritur te njerëzit, atëherë është gabim që ata që i janë përkushtuar fesë, Kuranit, Fjalës së Pejgamberit, da'ves (thirrjes në Islam) dhe arsimit të hezitojnë në përdorimin e të njëjtave mjete (rrjeteve sociale) për të përhapur të mirën dhe shpëtimin e shoqërisë.
Këtu, lind një pyetje dhe bëhet shpesh: A përbën publikimi në FB (rrjete sociale) i veprimeve të dikujt hipokrizi?
Këtu, duhet bërë një dallim midis dy gjërave:
Kryerja e veprave të mira për të fituar lavdërimin dhe admirimin e njerëzve është një formë e rrezikshme e hipokrizisë, dhe ne kërkojmë mbrojtje te Zoti prej saj.
Pejgamberi (paqja dhe bekimet qofshin mbi të) paralajmëroi kundër kësaj, duke thënë: "Kushdo që kërkon të dëgjohet, Zoti do ta bëjë të dëgjohet; dhe kushdo që kërkon të shihet, Zoti do ta bëjë të shihet." (Muslim, nr. 2986)
Pra humbet shpërblimi për shkak të nijetit jo të mirë.
Megjithatë, kryerja e veprave të mira me qëllimin për të dhënë shembull, për të përhapur mirësinë, për të inkurajuar të tjerët ta bëjnë atë, për t'ua prezantuar atyre dhe për të tërhequr të tjerët drejt saj është diçka që Zoti i Plotfuqishëm e ka lavdëruar, duke thënë:
"Nëse i zbuloni shpenzimet tuaja bamirëse, ato janë të mira."
(Bekare: 271).
Parimi në lidhje me veprat e mira është t'i fshehim ato, duke kërkuar sinqeritet, siç thotë Zoti i Plotfuqishëm:
"Por, nëse i fshihni dhe ua jepni të varfërve, është më mirë për ju, dhe Ai do t'ju largojë disa nga veprat tuaja të këqija. Dhe Zoti është i vetëdijshëm për atë që bëni." (Bekare: 271).
Ai lavdëroi veprimin e publikimit dhe shfaqjes së saj nëse është bërë për të dhënë shembull dhe për t'u ndjekur.
Jo çdo veprim i bërë publikisht është për sy e faqe, siç mund të supozojnë disa.
Përkundrazi, gjëja e rëndësishme është synimi, qëllimi dhe ndikimi i publikimit dhe përhapjes së tij.
Mund të postoni një fotografi të një rrethi studimi të Kuranit, studimi në universitet, bamirësie ndaj prindërve dhe një i ri mund ta shohë atë dhe të thotë: "Pse të mos i bashkohem një veprimi të tillë?"
Mund të ndani historinë e një personi që është aftësuar në mjekësi, ingjinjeri, që mëson përmendësh Kuranin dhe një i ri mund të lidhet me atë postim dhe i lenë ndikim.
Mund të publikoni një projekt bamirësie dhe një donator që nuk ishte në dijeni të tij e të tjerët mund të mësojë për të.
Mund të ndani një fjalë të dobishme për prindërit, familjen, dijen, edukimin dhe ajo mund të arrijë te dikush larg dhe të jetë arsyeja për të ndryshuar diçka në jetën e tij.
Jetojmë në një kohë kur mediat konkurrojnë për mendjet dhe zemrat e njerëzve.
Disa media përhapin gjëra të parëndësishme, disa përhapin të keqen, disa promovojnë vlera jo fetare e aq më pak kombëtare dhe disa investojnë në nxitjen e instinkteve, përçarjeve dhe konflikteve bazë.
Andaj luftoni të keqen me të mirën, gjërat e parëndësishme me vlerat, zhurmën me mençurinë dhe dëmin me dobinë.