Shënohet pesë vjetori i Qendrës Islame Shqiptare në Gjenevë

Në pesë vjetorin e themelimit të Qendrës Islame Shqiptare në Gjenevë të Zvicrës u organizua një manifestim fetar-kulturor kushtuar këtij përvjetori, ku përpos shumë besimtarëve tanë që jetojnë e punojnë në Zvicër, qenë të pranishëm edhe Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Sabri ef. Bajgora dhe koordinatori i Kryesisë së BI të Kosovës për diasporën, mr. Ekrem Siminca.

Fillimisht të pranishmeve iu drejtua Rijad ef. Aliu imam i Qendrës, i cili pasi përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi mysafirët nga Kryesia e BIK, shkurtimisht foli për historikun e Qendrës Shqiptare Islame, ku vuri në pah kontributin që ka luajtur kjo qendër në organizimin e besimtarëve tanë në Gjenevë e rrethinë.

Të pranishmëve në këtë manifestim iu drejtua edhe kryeimami i BIK, Sabri ef. Bajgora me një ligjëratë, i cili fillimisht përcolli urimet e Myftiu të Kosovës, Mr. Naim Tërnava për bashkatdhetarët tanë, dhe përgëzoi besimtarët tanë për themelimin e Qendrës Islame e cila siç tha kryemami po luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e përkatësisë kombëtare e fetare. Ai më tutje tha se themelimi i kësaj qendre këtu, po edhe i qendrave tjera në Zvicër si dhe në tërë diasporën është tregues i qartë se populli ynë katërçipërisht është i lidhur me atdheun, fenë dhe traditën e tij. Kjo është një traditë që duhet kultivuar me shumë xhelozi edhe tek brezi i ri, me qëllim që të ruhet gjuha, etnia, feja dhe kultura e popullit tonë.

Më pas kryeimami Bajgora foli për rolin e Rinisë në Diasporë dhe sfidat bashkëkohore, duke cekur se Islami i kushton rëndësi të veçantë e parësorë edukimit të brezit të ri. Më tutje kryeimami tha: “Një popull që investon në arsimimin dhe edukimin e brezit të ri, ai popull ka të ardhme të sigurt, ngase e ardhmja i takon rinisë. E kuptojmë që sot rina jonë përballet me sfida nga më të ndryshmet, mirëpo është obligim i yni që të jemi pranë tyre, dhe t’i udhëzojmë në rrugë të drejtë ashtu siç na ka porositur Allahu xh.sh. Rinia jonë që është në diasporë do një përkushtim të veçantë, që besoj se do e kenë nga prindit e tyre, por edhe nga Institucionet tonë dhe nga Bashkësia Islame.”

Të pranishmit i përshëndeti edhe koordinatori i Kryesisë së BIK për diasporën, Mr. Ekrem Siminca, i cili tha se Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës me qëllim që të jetë sa më afër me diasporën, ka themeluar sektorin për diasporë, i cili do të merret me koordinimin e punëve rreth organizmit të jetës fetare në diasporë. Për këtë qëllim ne veç jemi duke përgatitur një strategji ku do të shohim rrugët më të mira të bashkërendimit të punëve në të ardhmen. Kryesia e BIK çmon lartë organizmin e diasporës në qendra e xhamia. Ne po ashtu çmojmë lartë edhe kontributin që ka dhënë diaspora për Kosovën si para, gjatë dhe pas luftës. Tani ne do të vëmë kontakte me të gjitha qendra tona në diasporë, me qëllim që të shohim kërkesat dhe nevojat e tyre, tha ndër të tjerat Ekrem ef. Siminca.

Në këtë manifestim morën pjesë edhe Ambasadorët e Kosovës dhe të Maqedonisë. z. Naim Malaj, dhe Ramadan Nazifi, ambasadori i Maqedonisë në OKB- z. Aziz Pollozhani dhe përfaqësuesi i ambasadës së Shqipërisë.

Gjatë qëndrimin në Zvicër, kryeimami Bajgora dhe koordinatori për diasporën Simnica vizituan edhe këto qendra: Më 20 mars, Xhaminë në Llozanë dhe Friburg; më 21 mars në Bern vizituan Qendrën Islame. Po këtë ditë në Bern, përfaqësuesit e Kryesisë së BIK qëndruan në Ambasadën tonë ku u pritëm nga ambasadori Naim Malaj me të cilin biseduan për çështje te bashkërendimit të aktiviteteve të mërgatës sonë. Në takim u bisedua edhe për një Bashkësi Islame Shqiptare në Zvicër e cila do të përfaqësonte në mënyrë institucionale myslimanët shqiptarë në Zvicër. Ndërsa më 22 mars përfaqësuesit e Kryesisë së BIK vizituan Qendrën Islame në Prateln e më 23 mars dy xhamitë e Bazelit: “Besimtari “ dhe “Paqja”. Më 24 mas u vizituan Regenzdorf dhe Vinterthur. Ndërkaq të xhumanë më 25 mars kryeimami Bajgora dhe koordinatori Simnica në Cyrih vizituan dy xhami ku edh mbajtën hytbet para këtyre xhematëve. Pas Cyrihut përfaqësuesit e Kryesisë vizitua edhe Qendrën Islame “Vill” me ç’rast mbajtën edhe një tribunë të organizuar enkas për mysafir nga Kosova. Në të gjitha takimet gjatë këtyre vizitave u bisedua për mundësitë e koordinimit sa më të mirë të Bashkësisë Islame të Kosovës me qendrat islame në diasporë. /bislame/