Me një sërë aktivitetesh, ka vazhduar fushata përvjetore me temë: “Ta njohim Muhammedin salAll-llahu alejhi ve sel-lem”
Në shenjë përkujtimore dhe respekti për figurën e ndritur të Muhammedit salAll-llahu alejhi ve sel-lem, në Kërçovë u shënuan një sërë aktivitetesh. Në orët e hershme të mëngjesit, sektori i femrës në kuadër të FRI-së, shpërndanë ëmbëlsira në repartin e akusherisë të spitalit të Kërçovës. Më pas, ëmbëlsirat e përgaditura nga motrat muslimane, u servuan në sheshin e Kërçovës për të gjithë kalimtarët e rastit.
Ndërkaq, manifestimin kryesor të ditës, Forumi Rinor Islam - dega në Kërçovë, me mysafirë dhe gjimnazistë të shumtë, organizoi në Pallatin e Kulturës tribunë përkujtimore për jetën dhe veprën e Profetit salAll-llahu alejhi ve sel-lem, ku ligjerues ishte teologu i mirënjohur nga Shkupi z. Hasan Baftijari dhe teologu z. Qamil Rushiti nga Kërçova.
Kësaj ligjërate i parapriu kumtesa shkencore mbi Muhamedin salAll-llahu alejhi ve sel-lem, e përgatitur dhe prezantuar nga prof. Qamil Aliu. Gjithashtu ky manifestim është kombinuar me një program të pasur kulturor e artistik, të cilin e begatoi kori i Gjimnazit të Kërçovës DRITA dhe recitali nga motrat Lulfjolla dhe Lauresha Rufati të poezisë "E Hënë" nga autori Fatmir Muja.
Donatorë të këtij aktiviteti ishin: Firma Lindi, Dollar Market, Golden Oil, Esati Fix dhe Re-Al. Kurse sponsor medial ishte TV Uskana.
Zyra për Marrëdhënie me Publikun pranë FRI-së