Me iniciativë të Myftinisë Shkodër pasditen e së shtunës më 4 shkurt 2012, në mjediset e bibliotekës “Marin Barleti” është organizuar Panairi i Librit Islam.
Në edicionin e parë të këtij panairi të zhvilluar në qytetin e Shkodrës të pranishëm në këtë aktivitet kanë qenë Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, Drejtori i Bibliotekës Shkodër z. Gjovalin Çuni si dhe autoritetet më të larta të pushtetit lokal, Kryetari i Bashkisë Shkodër, z. Lorenc Luka, Kryetari i Këshillit të Qarkut Shkodër, z. Maxhid Cungu, drejtues të institucioneve, intelektualë e besimtarë.
Në fjalën e tij , Myftiu i Shkodrës ka theksuar se ky panair, që zhvillohet për herë të parë në Shkodër, vjen në kuadër të aktiviteteve me rastin e përkujtimit të lindjes së profetit Muhamed (a.s). Me tej Myftiu Sytari shtoi se ky panair është në nderin e Myftinisë Shkodër në këtë ditë të shënuar për mbarë botën islame.
Panairin e Librit Islam e ka përshëndetur edhe drejtori i bibliotekës, z. Gjovalin Çuni. Duke falënderuar myftininë Shkodër për këtë iniciativë Çuni vuri në dukje se nevoja për librin është shumë e madhe dhe se marrëdhënia e njeriut me librin është e lashtë dhe e domosdoshme në jetë. Më pas, myftiu Sytari ka shoqëruar Kryetarin e Bashkisë duke e njohur me shtëpitë botuese dhe botimet e tyre.
Në Panairin e Librit Islam në Shkodër, kanë marrë pjesë tetë shtëpi botuese nga: Shkupi, Prishtina, Tirana dhe Shkodra. Konkretisht Komuniteti Musliman i Shqipërisë dhe Myftinia Shkodër, Progresi, Prizmi, Zambaku, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC), Dituria islame, Saadi Shirazi dhe Logus A.
Midis shtëpive botuese pjesëmarrëse nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, në këtë panair u përfaqësua edhe Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam me 50 tituj nga botimet e veta ndër vite. AIITC veçon si librat më të shitur: “Kurani i madhërishëm – kuptimet e tij në gjuhën shqipe”, i mbështetur në përkthimin e teologut kosovar Hasan Ef. Nahi,I sjellë në standardin letrar të gjuhës shqipe dhe i botuar në disa formate: biblioteke, format xhepi dhe në formë elektronike audio e video. Qytetarët shkodranë të të gjitha moshave shfaqën një dëshirë të veçantë për ta pasur këtë përkthim në shtëpitë e tyre. Midis librave të tjerë të preferuar ishin: “Muhtesar Sahih el-Buhari”, “Legjislacioni i Traditës së Profetit (a.s.)”, “Institucionet Islame të Shkodrës”, “Thesari Arab”, Fjalori Arabisht – Shqip i autorit Sulejman Tomçini dhe libri “Familja muslimane në epokën e globalizmit”. Në stendën e AIITC-së nuk munguan as librat për fëmijë. Më i preferuari nga fëmijët rezultuan libri “Drita e Zemrës” me të gjitha formatet e tij dhe seria e librave për fëmijë me rrëfenja të ilustruara nga jeta e Profetit Muhamed (a.s). Nga 50 titujt e paraqitur në stendën e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam janë shitur 110 libra. Dituria islame mori pjesë në panair me 57 tituj me 259 libra të shitur ku spikasin “Mesazhi”, “Israja” “Miraxhi” dhe “Njohuri mbi Kuranin”. KMSH dhe Myftinia Shkodër janë përfaqësuar me 16 tituj. Në 27 libra të shitur më të preferuarit janë “Atomet flasin”, “Shkencat e besimit”, “Argumentet e namazit” dhe “40 hadithet e moralit”. Shtëpia botuese Progresi është përfaqësuar me 21 tituj nga këto janë shitur 35 libra si “Mejremja”, “101 hapa në edukim” , “Fryma mëshironjëse” dhe “Mrekullite e Kur’anit”. Prizmi ka marrë pjesë me 27 tituj duke shitur 55 libra. Më të pëlqyerit në këtë stend janë: “Njeriu që kërkon vetveten” , “Ese”, “Perspektiva dhe opinione” dhe “Jeta pas vdekjes”. “Anektodat e Nasredinit”, “ Cfare? Pse? Si?” dhe “Reista për fëmijë” janë librat më të preferuar në stendën e shtëpisë botuese Zambaku. Ndonëse nuk munguan librat për moshë të rritur, karakteristike ishte në këtë stendë interesimi i fëmijëve për librin. Shoqata kulturore Saadi Shirazi mori pjesë me 32 tituj duke shitur 13 libra, më të kërkuarit ishin “Qerbelaja”, “Poezi dhe lihai”, “Abaz Aliu” dhe “Mevlana”. Logus A mori pjesë me një volum titujsh, 78 të tillë. Në 74 librat e shitur spikasin “Profeti Muhamed”, “Frodi dhe feja” dhe “Historia e feve”. Të gjithë përfaqësuesit e shtëpive botuese që morën pjesë në këtë panair janë shprehur se janë ndjerë komod në qytetin e kulturës , Shkodrën. Ato vlerësuan pjesëmarrjen e qytetarëve në stendat e tyre dhe marrëdhënien që Shkodra ka me librin Organizimi i këtij panairi ishte një eveniment mbresëlënës dhe shumë i mirëpritur nga besimtarët muslimanë të qytetit të Shkodrës, të cilëve iu mundësua njohja me literaturën islame që botohet në gjuhën shqipe dhe me këtë rast të pasuronin bibliotekat e tyre me këtë lloj libri. Panairi Islam i Librit qëndroi i hapur për qytetarët dhe dashamirësit e librit dy ditë radhazi.
Përgatiti: Fatjon Hamzi