“Nata e oratorisë”

Mbrëmë në Teatrin Shqiptar u mbajt evenimenti “Nata e oratorisë”, ngjarje kjo që u organizua në kuadër të projektit “Edukohu, debato!”, fryt i bashkëpunimit të Forumit Rinor Islam dhe Qendrës për zhvillim edukativ dhe kulturor “RACIO”.

Aktiviteti në fjalë kishte karakter garues ku në skenën e këtij teatri u ngjjitën dhe performuan 10 nxënësit më të mirë të përzgjedhur gjatë realizimit të projektit “Edukohu, debato!”. Për disa javë resht, këta nxënës përgatitën fjalime me tema të ndryshme dhe u trajnuan nga trajnues të ndryshëm.

“Nata e oratorisë” filloi me fjalim përshëndetës nga koordinatori i projektit “Edukohu, debato!”, z.Fatmir Aliu, për të vazhduar pastaj edhe me kryetarët e dy organizatave që e organizuan këtë ngjarje, z. Fahmi Osmani, kryetar i Qendrës “RACIO” dhe z. Fevzi Musliu, kryetar i Forumit Rinor Islam. Të gjithë në fjalimet e tyre theksuan rëndësinë e aktiviteteve të këtij lloji, si nismë e mirë për ti vetëdijësuar dhe aftësuar të rinjt tanë që në të ardhmen e afërt të jenë bartës të proceseve zhvillimore të shoqërisë, në të gjitha segmentet e saja.

Pas fjalimeve përshëndetëse, ky aktivitet vazhdoi me ngjarjen kryesore, me fjalimet e 10 nxënësve. Llojllojshmëria e temave të këtyre fjalimeve si dhe përgatitja dhe paraqitja e shkëlqyer e tyre nxiti emocione të veqanta tek publiku i cili kishte mbushur sallën e Teatrit Shqiptar. Gjithashtu pas performimit të 10 nxënësve, fjala iu dha nxënësit Bekim Elezi i cili para publikut u paraqit me një fjalim komik me temë “Mangësitë e trekëndëshit profesor, nxënës dhe prind”.

Siç theksuam më lartë, “Nata e oratorisë” si aktivitet kishte karakter garues. Performansa e çdo nxënësi u vlerësua nga një juri profesionale në përbërje të: z. Adem Karaga, aktor dhe drejtor i Teatrit Shqiptar, z. Qenan Ismaili – teolog dhe anëtar i pleqësisë së FRI-së, prof.d-r. Gadaf Rexhepi profesor në UEJL, departamenti Biznes dhe Ekonomi si dhe prof. d-r. Zekirija Ibrahimi – gjuhëtar.

Fituese e kësaj gare ishte Emine Haxhiu, nxënëse e SHMQSH “Arseni Jovkov”, vendi i dytë i takoi nxënësit Agim Berisha, poashtu nxënës i SHMQSH “Arseni Jovkov” dhe vendi i tretë i takoi nxënësit Rilind Dauti nga Gjimnazi “Zef Lush Marku”.

Aktivitetet në kuadër të projektit “Edukohu, debato!” vazhdojnë. Prej javës së ardhshme fillojnë trajnimet për debatin final i cili është paraparë të realizohet pas një muaji. /fri/

[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/1_1365973664.jpg[/img]

[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/2_1365973688.jpg[/img]

[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/3_1365973710.jpg[/img]