Princi i Uellsit dhe dukesha Camilla, vizitën e tyre treditore në Emiratet e Bashkuara Arabe e nisën të dielën me një vizitë në xhaminë e famshme Sheikh Zayed Grand në Abu Dhabi.
Gjatë vizitës ata u shoqëruan nga Sheika Lubna Al Kasimi, e cila u emërua si ministre e re e shtetit për tolerancë.
Ashtu siç veprojnë vizitorët tjerë, ata hoqën këpucët e tyre në hyrje të xhamisë. Charles kishte të veshur një kostum liri dhe kravatë me shirita, ndërsa Camilla një xhaketë të gjatë dhe pantallona, ndërsa mbi kokë mbante një shami blu.
Çifti vizitoi xhaminë, e cila ka llambadare mahnitëse, murin ku janë të paraqitur 99 emrat e Zotit në kaligrafinë tradicionale dhe një qilim në sallën kryesore të xhamisë, për punimin e të cilit u deshën 11 vjet, që konsiderohet të jetë një nga më të mëdhenjtë në botë.
Pas vizitës, Charles dhe Camilla morën pjesë në një pritje për mysafirët e feve dhe kombësive të ndryshme.
Peshkopi i Kishës Katolike Paul Hinder, i cili bisedoi me princin në xhami, tha: “Për mua, vizita ka të bëjë me njohjen. Princi kishte rastin të flasë me ne dhe të shohë tolerancën e ndërsjellë i cili është realiteti në këtë vend. Kjo nuk ndodh në gjithë botën që të mund të takohemi në një vend të tillë si një formacion i tillë, duke parë dhe duke përjetuar këtë realitet, ka një ndikim”.
Kjo nuk është hera e parë që Charles dhe Camilla e vizitojnë këtë xhami të ndërtuar në vitin 20078. Vizita e tyre e parë ishte në vitin 2007, kur ajo ishte ende duke u ndërtuar.