Nuk është e drejtë e Qeverisë që t’u thotë grave se çfarë të veshin, ka thënë kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, e cila këmbëngul se ato duhet të jenë të lira në zgjedhjen e veshjes së tyre.
Deklarata e saj vjen pas vendimit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë sipas të cilit kompanitë mund t’ua ndalojnë punëtoreve mbajtjen e shamive në vendin e punës.
“Ne kemi një traditë të fortë në këtë vend për liri të shprehjes, dhe është e drejtë e të gjitha grave që të zgjedhin se si duan të vishen. Nuk është qëllimi ynë që të nxjerrim ligj për këtë çështje”, tha May në Parlamentin e Britanisë. Do të ketë raste, në kohën e duhur, të kërkohet heqja e shamisë në kontrolle kufitare apo gjykata. Institucionet individuale mund t’i bëjnë politikat e veta, por Qeverisë nuk i takon që t’u thotë grave se çfarë mund të veshin e çfarë jo,” ka thënë May.
Vendimi i Gjykatës së drejtësisë, i cili poashtu vlen edhe për simbolet e dukshme fetare, shkaktoi një stuhi ankesash nga grupet për të drejtat e njeriut dhe liderët fetarë.