Parlamenti çeçen miratoi ligjin që lejon mbajtjen e simboleve fetare për nxënësit dhe studentët, duke përfshirë edhe mbajtjen e hixhabit në shkolla.
Pritet që këto ndryshime të kontribuojnë në përmirësimin e efikasitetit të institucioneve arsimore, thuhet në deklaratën e parlamentit.
Kreu i Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Bekhan Khazublatov, në Parlament tha se ligji do të garantoj që politika arsimore në Çeçeni të zhvillohet pa kompromentuar traditat kombëtare dhe besimet fetare të nxënësve. Ai gjithashtu theksoi se rregullorja e re nuk është në kundërshtim me rregullat e uniformës shkollore të Federatës Ruse.
"Ky ligj është ndihmë e padiskutueshme ligjore në përmirësimin e efektivitetit të aktiviteteve të organizatave arsimore dhe për respektimin e të drejtës kushtetuese të nxënësve", tha Kryetari i Parlamentit, Magomed Daudov, duke komentuar ligjin.
Në janar ka pasur një konflikt për çështjen e veshjes fetare në fshatin Belozerje në republikën ruse Mordovia, e populluar kryesisht me popullatë muslimane, Tatarë etnikë. Administrata e shkollës së fshatit ua kishte ndaluar nxënëseve të shkollës të mbajnë hixhabin.
Ministrja e Arsimit të Rusisë, Olga Vasilieva, e përkrah vendimin e shkollës, duke deklaruar se, sipas saj, "besimtarët e vërtetë", nuk kanë nevojë që përmes simboleve të shprehin besimin e tyre. Ajo shtoi se, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, hixhabi nuk e ka vendin në shkolla.
Zëdhënës i Kremlinit, Dmitri Peskov, tha se Kremlini nuk dëshiron të përkrah asnjërën anë në debatin për mbajtjen e shamisë në shkolla. "Në fakt, ekzistojnë qasje të ndryshme për këtë çështje," tha ai.