Kerko

Ai që e lexon historinë me kujdes dhe përpiqet ta kuptojë frymën e saj, bindet se bota në të cilën zbriti Kurani ishte një botë e zhytur në errësirë. Ishte koha e injorancës, e paragjykimeve dhe e dhunës; një kohë në të cilën dija nuk kishte arritur të bëhej forca që ndriçon mendjen dhe ndërton njeriun.
Pastaj erdhi Islami. Dhe me të filloi një revolucion. Një revolucion jo vetëm politik apo shoqëror, por para së gjithash, një revolucion në mendje, në shpirt dhe në mënyrën se si njeriu e kupton veten dhe botën që e rrethon.
Është domethënëse se fjala e parë e shpalljes hyjnore nuk ishte urdhër për pasuri, pushtet apo dominim. Nuk ishte as urdhër për falje, agjërim apo luftë. Fjala e parë që çau heshtjen e shpellës Hira dhe hapi një kapitull të ri në historinë e njerëzimit ishte: Lexo!
Allahu i Madhëruar thotë:
“Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi. Krijoi njeriun prej gjakut të ngjizur. Lexo për Zotin tënd Bujar! Është Ai që ua mësoi pendën. Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte.” (El Alek, 1-5).
Këto nuk ishin thjesht fjalët e para të një shpalljeje. Ishin fjalët që do të vendosnin drejtimin e një qytetërimi që do ta largonte njerëzimin nga errësira, do ta drejtonte drejt njohjes së Krijuesit, të njeriut dhe të botës, sepse besimi nuk synon ta mbyllë mendjen, por ta zgjojë atë.
Ajo që e bën këtë fillim edhe më madhështor është fakti se ky urdhër iu drejtua një Pejgamberi që nuk kishte mësuar të lexonte e të shkruante, në zemër të një shoqërie. Ku leximi dhe shkrimi nuk ishin pjesë e jetës së shumicës. Pikërisht aty, në vetminë e shpellës Hira, larg zhurmës së botës, filloi një revolucion që do ta nxirrte një popull nga analfabetizmi dhe do ta vendoste dijen në zemër të identitetit të tij.
Nedeviu, duke reflektuar mbi këto ajete, ndalet pikërisht te kjo mrekulli e madhe: një shpallje që, në çastet e para të zbritjes së saj, nuk harron penën. Një fe që nis rrugëtimin e saj duke e lidhur dijen me Krijuesin dhe duke e bërë lapsin një prej simboleve të ngritjes njerëzore. Çfarë domethënieje e thellë!
Shpallja zbret mbi një të Dërguar a.s. që nuk kishte lidhje me penën, ndërsa një nga gjërat e para që përmend është pikërisht pena. Ajo zbret në një mjedis ku libri nuk ishte pjesë e jetës së përditshme të shumicës, ndërsa fjala e parë e saj është "Lexo!"
Ky ishte fillimi i një transformimi të madh.
Islami nuk deshi të krijonte një ymet që vetëm dëgjon, por një ymet që lexon. Nuk deshi të krijonte një bashkësi që vetëm trashëgon, por një bashkësi që mendon, hulumton dhe ndërton. Një ymet që nuk do të jetonte në hijen e injorancës, por që do të bartte përgjegjësinë e udhëzimit, edukimit dhe ndriçimit të njerëzimit.
Prandaj, koha kur ky ymet mori përsipër barrën e udhëzimit nuk mund të ishte koha e analfabetizmit, egërsisë dhe shkatërrimit. Ajo duhej të bëhej koha e dijes dhe mendimit; koha e meditimit dhe urtësisë; koha e ndërtim, përparimit dhe dashurisë njerëzore.
Shpallja hyjnore e lidhi dijen me emrin e Zotit: "Lexo me emrin e Zotit tënd..." Kjo lidhje nuk është e rastësishme. Dija, në vizionin islam, nuk është thjesht grumbullim informacioni. Ajo nuk është vetëm aftësi për të lexuar, shkruar apo prodhuar. Dija që fillon "me emrin e Zotit" është dije që i jep njeriut përgjegjësi, e lidh atë me moralin dhe e orienton drejt së mirës.
Prandaj, ajetet e para të Kuranit ishin më shumë sesa një thirrje për lexim. Ato ishin manifesti i një revolucioni të madh në mendimin, shpirtin dhe qytetërimin njerëzor.
Këtu qëndron edhe një pyetje që duhet të na shqetësojë sot: Si mund të pajtohet injoranca me një fe, fjala e parë e së cilës ishte "Lexo!"? Si mund të justifikohet largimi nga dija në emër të një feje që e filloi shpalljen e saj me thirrjen për të lexuar, mësuar dhe njohur?
Nëse shkëndija e parë e këtij mesazhi hyjnor ishte dija, atëherë braktisja e saj nuk është vetëm një humbje intelektuale; ajo është largim nga vetë fryma me të cilën filloi shpallja.
A ka ndonjë mesazh në historinë njerëzore që e ka ngritur më fuqishëm simbolikën e penës sesa këto fjalë të para të Kuranit?
Një popull, i njohur për shekuj si pjesë e epokës së injorancës, u shndërrua gradualisht në një ymet të dijes. Nga një shoqëri ku fjala mbizotëronte mbi librin, lindi një qytetërim që ndërtoi biblioteka, shkolla, qendra studimi dhe institucione të dijes.
Kjo është arsyeja pse shpallja islame nuk mund të kuptohet pa dijen. Sepse "Lexo!" nuk ishte vetëm fjala e parë që iu drejtua Muhamedit; ishte fjala që hapi rrugën e një revolucioni që ndryshoi njeriun, mendimin dhe historinë.
Editorial
Dituria Islame 430

Dr. Ejup Haziri

Dr. Ejup Haziri

Dr. Ejup Haziri

Dr. Ejup Haziri

Dr. Ejup Haziri

Dr. Ejup Haziri

Dr. Ejup Haziri

Dr. Ejup Haziri

Dr. Ejup Haziri

Dr. Ejup Haziri

Dr. Ejup Haziri

Dr. Ejup Haziri